Real Madridi dhe Atletico kanë barazuar 1:1 në kryendeshjen e xhiros së 23-të në La Liga.
Takimi i luajtur në “Santiago Bernabeu” të shtunën, nuk prodhoi fitues, pavarësisht dominimit të vendasve.
Atletico luajti me një lojtar më pak nga minuta e 64-t. U ndëshkua me karton të kuq për faull të rrezikshëm, Angel Correa.
Por pavarësisht kësaj, skuadra e Diego Simeones kaloi në epërsi në minutën e 78-të. Shënoi mbrojtësi Jose Maria Gimenez, pas harkimit të Antoine Griezmann.
Megjithatë, Reali barazoi shpejt. 18-vjeçari Alvaro Rodriguez shënoi golin e parë me fanellën e Los Blancos.
Deri në fund, pavarësisht këmbënguljes së madrilenëve, rezultati nuk ndryshoi.
Barazimi do të thotë një hap prapa për Realin në luftën për titull. Ka 52 pikë në vendin e dytë, shtatë më pak se Barça në vendin e parë, që ka edhe një ndeshje më pak.
Atletico është e katërta me 42 pikë.