Rikthehen zjarret masive në Kaliforni

Zjarret masive janë rikthyer sërish në Kaliforni, ku janë shkrumbuar më shumë se 15 mijë hektarë pyje dhe kjo ka ndodhur brenda 24 orëve.

Vatra e zjarrit ka shkaktuar kaos përgjatë autostradës, ku të gjithë drejtuesit kanë braktisur automjetet, ndërsa autoritetet kanë ngritur alarmin, duke ju bërë thirrje banorëve të zonës të qëndrojnë në gatishmëri për evakuim.

Zona është e banuar nga rreth 2 mijë banorë dhe të gjitha banesat e tyre janë të rrezikuara të përpihen nga flakët. Gjatë gjithë verës, shteti federal amerikan vuajti nga zjarret masive kryesisht në jug që i morën jetën 10 personave dhe çuan në evakuimin e mbi 20 mijë banorëve.