Rikthehet Davutoglu, ja cfarë thotë për ndërhyrjen e Turqisë në Siri

 Ish-kryeministri i Turqisë, Ahmet Davutoğlu tha se ngjarjet aktuale në Siri tregojnë qartë se disa qarqe duan ta ndajnë këtë shtet dhe të pamundësojnë zbatimin e politikave turke të integrimit në Lindjen e Mesme.

Përfaqësuesi aktual i Parlamentit turk nga Partia në pushtet për Drejtësi dhe Zhvillim (AK Parti) Davutoğlu mori pjesë në tubimin e organizuar nga Shoqata për nxitjen e miqësisë, arsimit dhe kulturës (DOSTDER) në Samsun, dhe me këtë rast komentoi mbi situatën aktuale në Siri.

Duke theksuar se Turqia kurrë nuk ka patur problem me kurdët e Sirisë, ish kryeministri turk Davutoğlu tha se as edhe operacioni aktual ushtarak “Dega e Ullirit” në Afrin nuk është drejtuar kundër kurdëve, por kundër terroristëve.

Ai kujtoi se anëtarët e fiseve kurde nga Siria 100 vjet më parë ishin një pjesë integrale e ushtrisë osmane, raporton Anadolu Agency (AA).

“Kurdët sirianë janë vëllezërit tanë, por është i qartë qëllimi i atyre që duan ta forcojnë organizatë terroriste YPG dhe si të tillë ta përdorin për grindje mes popullit turk dhe sirian. Qëllimi i tyre është ta dobësojnë Turqinë dhe të thyejnë krahët e saj”, tha Davutoğlu.

Davutoğlu gjithashtu shtoi se Turqia ka shkruar një ngjarje të madhe historike me hapjen e dyerve dhe kujdesin për miliona refugjatë sirianë.

“Të jeni të bindur, se atë që ka bërë Turqia për refugjatët sirianë nuk do të harrohet për një mijë vjet”, përfundoi Davutoğlu.