Ronaldo kërkon largimin nga Unitedi

Cristiano Ronaldo e ka shokuar Manchester Unitedin, duke i thënë klubit se është koha që ai të largohet, shkruan The Times të shtunën.

37-vjeçari u kthye në “Old Trafford” vetëm verën e kaluar pas periudhave të suksesshme te Real Madridi e Juventusi, por raportohet se ai po konsideron të gjejë klub të ri në afatin kalimtar të verës.

Unitedi ndërkohë përjetoi sezonin më të keq në histori të Premier Leagues. Përfundoi në vendin e gjashtë dhe sezonin e ri nuk do të luajë në Ligën e Kampionëve.

Sipas The Times, mospjesëmarrja në Ligën e Kampionëve e ka lënë të pakënaqur Ronaldon.

Si rezultat i kësaj, pesë herë fituesi i Topit të Artë i ka kërkuar klubit ta lejojë largimin e tij nëse vjen ndonjë ofertë e përshtatshme.

Ronaldo është i bindur se mund të luajë edhe tre ose katër vjet në nivele të larta dhe synon një ekip që është konkurrent serioz për trofe, sipas raportimit të The Times.

Sulmuesi portugez gëzon respekt maksimal për Unitedin, por nuk do që të jetë pjesë e rindërtimit të skuadrës nga Erik ten Hag, që mund të marrë disa vite.