Rrahmani i nderuar që barti shiritin e kapitenit te Napoli

Mbrojtësi i Kosovës, Amir Rrahmani është ndjerë tejet i nderuar dhe krenar që ka bartur shiritin e kapitenit te skuadra e Napolit.

Rrahmani ishte kapiten i Napolit në ndeshjen kundër Cagliarit, e cila përfundoi 1:1 dhe i takoi xhiros së 26-të në Serie A.

Rrahmanit iu besua shiriti i kapitenit në mungesë të Giovanni Di Lorenzos, i cili nuk luajti ndaj Cagliarit për shkak se ishte i suspenduar.

Rrahmani luajti gjatë tërë ndeshjes kundër Cagliarit, ndërsa ka reaguar me një postim në rrjetet sociale. “Nder, privilegj dhe përgjegjësi”, ishte postimi i shkurtër i Rrahmanit krahas fotografisë ku 30-vjeçari shihej me shiritin e kapitenit.

Rrahmani është njëri prej lojtarëve më të vjetër te Napoli pasi është pjesë e këtij ekipi prej vitit 2020.

Po ashtu, Rrahmani është ndër më të vlerësuarit dhe këtë edicion ka regjistruar 28 paraqitje në të gjitha garat, ku ka shënuar edhe një gol.

Ai ka kontratë me Napolin deri në vitin 2027, ndërsa edicionin e shkuar fitoi titullin e kampionit të Italisë.