Rrahmani nënshkruan me Dinamon e Zagrebit

Amir Rrahmani ka nënshkruar me klubin Dinamo të Zagrebit, pas marrëveshjes së arritur me ish-klubin e tij, Split.

Siç raportojnë mediat në Kroaci, qendërmbrojtësi që ka zgjedhur të përfaqësojë Kosovën, ka kaluar në Dinamo për një shifër prej 1.6 milion eurosh.

Në raportin Split – Dinamo, transferi më i shtrenjtë ka qenë Marko Rog. Për të, Dinamo ka paguar 4 milionë euro, ndërsa Rrahmani bëhet transferi i dytë më i shtrenjtë në këtë relacion, me 1.6 milionë euro vlerë.

Vetë Rrahmani, në faqen e tij në Facebook, ka konfirmuar marrëveshjen.

“Nga sot jam futbollist i GNK Dinamo Zagreb, klubit kampion dhe më të madh në Ballkan. Falënderoj publikisht RNK Split për një vit të shkëlqyer të kaluar aty”, ka shkruar Rrahmani.

Dinamo do të luajë edhe në Ligë të Kampionëve në Grupin G.

Koha.net ju sjell fotografitë ekskluzive nga nënshkrimi i marrëveshjes së Rrahmanit me Dinamon e Zagrebit.