Rrëzohet helikopteri turk në Siri, vriten ushtarët

Dy ushtarë turq janë vrarë pasi helikopteri i tyre u rrëzua gjatë një operacioni ushtarak të Ankarasë kundër luftëtarëve kurdë në Sirinë veriore.

Kryeministri turk Binali Yildirim njoftoi vdekjen e tyre në një fjalim televiziv të shtunën.

“Në këtë fazë mund të themi se një nga dy helikopterë u rrëzua. Në këtë fatkeqësi kanë rënë dy dëshmorë”, tha Yildirim.

Më parë, Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan kishte thënë se një helikopter i ushtrisë ishte rrëzuar pranë krahinës jugore Hatay.

“Këto gjëra do të ndodhin, ne jemi në një luftë … Mund të humbim një helikopter, por ata do të paguajnë çmimin për këtë,” tha ai në Stamboll. /MESAZHI/