Rritet lista e kompanive që ndalojnë avionin Boeing 737 Max 8

Disa linja ajrore të tjera i janë shtuar listës së firmave që tashmë kanë ndaluar fluturimin e avionëve të tipit Boeing 737 Max 8 pas rrëzimit të avionit të Ethiopian Airlines të dielën, transmeton Anadolu Agency (AA).

Gol Transportes Aeros e Brazilit, Aeromexico e Meksikës dhe Jet Airways e Indisë njoftuan tërheqjen e avionëve Boeing 737 Max 8 nga fluturimet pas aksidentit fatal në të cilin jetën humbën 157 persona.

Nga ana tjetër, kompania e Argjentinës Aerolineas Argentinas njoftoi ndalimin e përkohshëm të përdorimit të këtyre avionëve.

Ndërkaq, Administrata e Aviacionit Civil të Singaporit ka ndaluar përkohësisht hyrjen dhe daljen e avionëve të këtij modeli në vend.

Po ashtu, autoritetet e transporit të Koresë së Jugut thanë se aktualisht janë duke u bërë inspektime në një firmë vendase që përdorë avionë 737 Max dhe shtuan se gjatë kësaj periudhe do të ndalohen udhëtimit me këtë tip të avionit.

– Administrata e Aviacionit të SHBA-së në vendin e ngjarjes

Sipas një deklarate të Administratës së Aviacionit të Shteteve të Bashkuara, njoftuan ze zyrtarët e saj kanë arritur në zonën ku ka rënë avioni pas ngritjes nga kryeqyteti i Etiopisë, Addis Ababa, i cili si destinacion kishte kryeqytetin kenian Nairobi.

Siç bëhet e ditur, zyrtarët amerikanë do të jenë pjesë e ekipit hulumtues të kryesuar nga Etiopia.

– 2 aksidente brenda 6 muajve

Debatet rreth sigurisë së avionëve 737 Max 8 të prodhuara nga kompania amerikane Boeing filluan si pasojë e dy aksidenteve fatale brenda gjashtë muajve.

Më 29 tetor të vitit të kaluar, 189 persona, përfshirë edhe personelin, humbën jetën pasi avioni i Lion Air me numër fluturimi JT 610, u rrëzua pak pas ngritjes nga Xhakarta në fluturimin drejt qytetit Pangkal Pinang në ishullin Sumatra.

Megjithëse ende nuk janë shpalosur shkaqet e aksidentit, rënia e tij si pasojë e problemeve të ngritjes vetëm gjashtë deri në 12 minuta pas largimit nga aeroporti ka forcuar mundësinë e defekteve teknike në prodhimin e këtyre modeleve.

Ndalimi i përdorimit të këtij avioni më herët u bë edhe nga Ethiopian Airlines, ndërsa edhe Kina urdhëroi të gjitha kompanitë vendase të ndalojnë udhëtimet me këtë model.

Avioni me 157 pasagjerë i Ethiopian Airlines u rrëzua gjashtë minuta pas ngritjes nga kryeqyteti i Etiopisë, Addis Ababa, në drejtim të kryeqytetit të Kenias, Nairobi, ndërsa asnjëri prej personave në avion nuk mbijetoi.