Rritja e shqetësimit mbi sigurinë e platformës TikTok

Kina po akuzon Shtetet e Bashkuara për përhapje të dezinformatave mes njoftimeve se administrata e Presidentit Biden po bën thirrje që pronarët kinezë të kompanisë TikTok të shesin aksionet e filialit amerikan të kompanisë. Deklaratat e Ministrisë së Jashtme të Kinës janë një përgjigje tjetër ndaj përpjekjeve që po bëhen në Shtetet e Bashkuara për të kufizuar ndikimin e aplikacionit.

TikTok sërish hodhi poshtë pretendimet se kompania e saj mëmë kineze, ByteDance, po ndan të dhënat e përdoruesve të aplikacionit të saj me qeverinë kineze, ose se po përhap propagandë dhe dezinformim në emër të saj.

Ministria e Jashtme e Kinës akuzoi të mërkurën Shtetet e Bashkuara për përhapjen e dezinformatave në lidhje me rreziqet e mundshme të sigurisë nga përdorimi i aplikacionit TikTok, pas një njoftimi në gazetën Wall Street Journal se Komisioni amerikan për Investimet e Huaja, i cili është pjesë e Departamentit të Thesarit, ka kërcënuar se do të ndalojë përdorimin e aplikacionit në Shtetet e Bashkuara, nëse pronarët e saj kinezë nuk heqin dorë nga aksionet e tyre për filiain amerikan të kompanisë.

Pra, a janë reale rreziqet ndaj sigurisë së të dhënave? Dhe a duhet të shqetësohen përdoruesit se aplikacioni TikTok do të fshihet nga telefonat e tyre?

Ja çfarë duhet të dini:

CILAT JANË SHQETËSIMET RRETH APLIKACIONIT TIKTOK?

FBI-ja edhe Komisioni Federal i Komunikimeve kanë paralajmëruar se ByteDance mund të ndajë të dhënat e përdoruesve të aplikacionit TikTok, si historia e klikimeve, vendndodhja dhe identifikuesit biometrikë, me qeverinë autoritare të Kinës.

Një ligj, i miratuar nga Kina në vitin 2017, u kërkon kompanive t’i japin qeverisë të dhënat personale që lidhen me sigurinë kombëtare të vendit. Nuk ka asnjë provë që tregon se TikTok ka dorëzuar të dhëna të tilla, por frika është rritur për shkak të sasisë së madhe të të dhënave të përdoruesve që ajo mbledh, ashtu si kompanitë e tjera të mediave sociale.

Shqetësimet rreth aplikacionit TikTok u rritën në dhjetor, pasi kompania ByteDance, tha se kishte pushuar katër punonjës, të cilët kishin hyrë tek të dhënat e dy gazetarëve të “Buzzfeed News” dhe “Financial Times”, në kuadër të hetimeve të kompanisë për të gjetur burimin e një raporti të rrjedhur në lidhje me vetë kompaninë.

SI PO REAGOJNË SHTETET E BASHKUARA?

Zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, John Kirby, nuk pranoi të komentonte kur u pyet të enjten për komentet e ministrisë së jashtme kineze në lidhje me aplikacionin TikTok, duke cituar hetimin që po kryhet nga Komisioni për Investimet e Huaja.

Zoti Kirby gjithashtu nuk pranoi të konfirmonte nëse administrata e Presidentit Biden i ka dërguar kompanisë TikTok një letër duke e paralajmëruar atë se qeveria e Shteteve të Bashkuara mund të ndalojë aplikacionin nëse kompania mëmë në Kinë nuk shet aksionet e filialit të saj në ShBA, por shtoi se “ne kemi shqetësime legjitime të sigurisë kombëtare në lidhje me integritetin e të dhënave që ne duhet t’i vëzhgojmë.”

Në vitin 2020, presidenti i atëhershëm Donald Trump dhe administrata e tij u përpoqën të detyronin kompaninë ByteDance të shiste kompaninë e saj në Shtetet e Bashkuara dhe ta ndalonte TikTok-un nga platformat e shitjes së aplikacioneve. Gjykatat e bllokuan këtë përpjekje dhe Presidenti Joe Biden anuloi urdhrat ekzekutivë të ish-presidentit Trump, por ai urdhëroi një studim të thelluar të çështjes. Një shitje e planifikuar e pasurive të kompanisë TikTok në Shtetet e Bashkuara u anulua gjithashtu pasi administrata e Presidentit Biden negocioi një marrëveshje me kompaninë TikTok për trajtimin e disa prej shqetësimeve të sigurisë kombëtare.

Senatori demokrat Richard Blumenthal dhe ai republikan Jerry Moran, i dërguan një letër në shkurt Sekretares së Thesarit, Janet Yellen, duke i kërkuar Komisionit për Investimet e Huaja, të cilin e kryeson ajo, të “përfundojë me shpejtësi hetimet dhe të vendosë struktura të ashpra kufizuese” midis operacioneve të kompanisë TikTok në Shtetet e Bashkuara dhe kompanisë mëmë ByteDance, duke përfshirë një ndarje të mundshme të kompanive.

Në të njëjtën kohë, ligjvënësit kanë paraqitur propozime për zgjerimin e autoritetit të administratës Biden për të bllokuar kompaninë TikTok në ShBA. Shtëpia e Bardhë ka shprehur mbështetje tashmë për këtë propozim dypartiak të Senatit.

ÇFARË KUFIZIME EGZISTOJNË NDAJ KOMPANISË TIKTOK?

Të enjten, autoritetet britanike njoftuan ndalimin e aplikacionit TikTok në telefonat e lëshuar nga qeveria për arsye sigurie, pas një vendimi të ngjashëm të degës ekzekutive të Bashkimit Evropian, e cila e ndaloi përkohësisht aplikacionin TikTok nga telefonat e personelit të saj. Danimarka dhe Kanadaja kanë njoftuar gjithashtu masa të ngjashme të bllokimit të aplikacionit TiktTok në telefonat e lëshuar nga qeveria.

Muajin e kaluar, Shtëpia e Bardhë tha se do t’u jepte agjencive federale të Shteteve të Bashkuara afat 30 ditor për të fshirë aplikacionin TikTok nga të gjitha pajisjet celulare të lëshuara nga qeveria. Kongresi, forcat e armatosura amerikane dhe më shumë se gjysma e shteteve amerikane e kanë ndaluar tashmë përdorimin e aplikacionit në pajisjet zyrtare.

ÇFARË THOTË KOMPANIA TIKTOK?

Zëdhënësja e kompanisë TikTok, Maureen Shanahan tha se kompania tashmë po i përgjigjej shqetësimeve të sigurisë përmes “mbrojtjes transparente, me bazë në Shtetet e Bashkuara, të të dhënave dhe sistemeve të përdoruesve në vend, me monitorim, verifikim dhe kontroll të fortë nga palët e treta”.

Në qershor, TikTok tha se do të transferonte të gjitha të dhënat e përdoruesve amerikanë në serverët e kontrolluar nga firma Oracle, kompaninë amerikane në Silicon Valley, që e zgjodhi si partnere të saj amerikane në vitin 2020, në një përpjekje për të shmangur një ndalim në ShBA. Por ajo po ruan kopje rezervë të të dhënave në serverët e saj në Shtete e Bashkuara dhe Singapor. Kompania tha se pret të fshijë të dhënat e përdoruesve amerikanë nga serverët e saj, por nuk ka dhënë një afat kohor për përmbushjen e këtij premtimi.

Shefi ekzekutiv i kompanisë TikTok, Shou Zi Chew, do të dëshmojë javën e ardhshme përpara Komisionit të Energjisë dhe Tregtisë në Dhomën e Përfaqësuesve për praktikat e mbrojtjes së privatësisë dhe sigurisë së të dhënave të kompanisë, si dhe marrëdhëniet e saj me qeverinë kineze.

Ndërkohë, kompania mëmë e TikTok-ut, ByteDance, është përpjekur të pozicionohet më shumë si një kompani ndërkombëtare dhe më pak si një kompani kineze. Ajo është themeluar në Pekin në vitin 2012 nga shefi ekzekutiv aktual i saj, Liang Rubo dhe të tjerë.

Theo Bertram, nënpresident i politikave të kompanisë TikTok në Evropë, tha në një postim në Twitter të enjten se ByteDance “nuk është një kompani kineze”. Zoti Bertram tha se 60 për qind e pronarëve të saj janë investitorë globalë, 20 për qind punonjës dhe 20 për qind themelues. Drejtuesit e saj janë të vendosur në qytete si Singapori, Nju Jorku, Pekini dhe zona të tjera metropolitane.

A JANË LEGJITIME RREZIQET E SIGURISË?

Varet se kë pyet.

Disa aktivistë të mbrojtjes së privatësisë në platformat e teknologjisë thonë se ndonëse abuzimi i mundshëm i privatësisë nga qeveria kineze është shqetësues, kompani të tjera të teknologjisë kanë praktika biznesi të grumbullimit të të dhënave që shfrytëzojnë gjithashtu informacionin e përdoruesit.

“Nëse politikëbërësit duan të mbrojnë amerikanët nga survejimi, ata duhet të mbështesin një ligj bazë të privatësisë që ndalon të gjitha kompanitë të mbledhin kaq shumë të dhëna të ndjeshme rreth nesh në radhë të parë, në vend që të angazhohen në atë që duket si një shfaqje ksenofobike që nuk bën asgjë për mbrojtjen e përdoruesve”, thotë Evan Greer, drejtor i organizatës jofitimprurëse “Fight for the Future”.

Karim Farhat, një studiues në Projektin Qeverisja e Internetit në Universitetin “Georgia Tech”, thotë se shitja e TikTok-ut do të ishte “tërësisht e parëndësishme sa i përket kërcënimeve të supozuara të ‘sigurisë kombëtare’ ” dhe do të ishte kundër “çdo parimi dhe norme të tregut të lirë” të Departamentit të Shtetit mbi parimet e lirisë së internetit.

Të tjerë thonë se ka arsye legjitime për shqetësim.

Njerëzit që përdorin TikTok-un mund të mendojnë se nuk po bëjnë asgjë që mund të jetë në interes të një qeverie të huaj, por nuk është gjithmonë kështu, thotë Anton Dahbura, drejtor ekzekutiv i Institutit të Sigurisë së Informacionit në Universitetin Johns Hopkins. Informacioni i rëndësishëm për Shtetet e Bashkuara nuk kufizohet rreptësisht në termocentralet bërthamore ose objektet ushtarake, ai shtrihet në sektorë të tjerë, si përpunimi i ushqimit, industria e financave dhe universitetet, shtoi ai.

A KA PRECEDENTË PËR NDALIMIN E KOMPANIVE TEKNOLOGJIKE?

Vitin e kaluar, Shtetet e Bashkuara ndaluan shitjen e pajisjeve të komunikimit, të prodhuara nga kompanitë kineze Huawei dhe ZTE, duke përmendur rreziqet ndaj sigurisë kombëtare. Por ndalimi i shitjes së pajisjeve është më i lehtë sesa ndalimi i një aplikacioni, në të cilin përdoruesit mund të kenë qasje përmes internetit.

Disa organizata të mbrojtjes së lirive civile kanë thënë se një vendim i tillë mund të përfundojë në gjykatat e vendit me arsyetimin se mund të përbëjë shkelje të Amendamentit të Parë të Kushtetutës amerikane, i cili mbron lirinë e shprehjes./VOA