Rusifikimi i botimeve në Shqip(ëri)ni

Para disa muajve ish- ministrja e Arsimit Kulturës dhe Shkencës e Shqipërisë, nga viti 1976- 1987, Tefta Cami,  promovoi  librin e saj në Prishtinë  me titull” Katër ditë vizitë në Kosovë- Tetor 1980” Tiranë, 2012.  Në fjalën përshëndeste dhe falënderuese për organizatorët e promovimit dhe duke evokuar disa kujtime , kur ishte në postin e ministres në mes tjerash tha se:” Kemi pasur bashkëpunim të mirë me UNESKO-n dhe për sa i përket botimeve…,”. Të them të drejtën nuk më bënë  shumë përshtypje fjalët që tha ish- ministrja, e cila në kohën sa ishte ministre ka bërë punë të mirë në fushën e shkëmbimeve akademike mes Kosovës dhe Shqipërisë.

Këto ditë tek po hulumtoja në shtypin e viteve të 50- ta të shekullit të kaluar në mes tjerash hasa edhe në një shkrim, të shkencëtarit, filologut, historianit, orientalistit, poliglotit, me origjinë nga Kërçova e Maqedonisë Hasan Kaleshi( 1922- 1976), i cili mbi bazën e hulumtimeve të botimeve në Shqipërinë e asaj kohe dhe duke u konsultuar më raportet e publikuara të  UNESKO-s, siç i quan Ai “ publikacjonet” për Shqipërinë. Ai bën një analizë të botimeve dhe njëkohësisht ngre shqetësimet e tij, me plotë të drejtë, për “rusizmin” e kulturës Shqiptare në Shqipëri thuajse në çdo pore të jetës, duke mos përjashtuar edhe botimet, që autori Kaleshi i quan si “ rusifikim të kulturës kombëtare”. Posa e përfundova së lexuari shkrimin, diçka më bëri përshtypje! Fjalët e ish-ministres nuk mu përputheshin me shkrimin e një shkencëtari të rangut botëror siç ishte Hasan Kaleshi, pavarësisht se kur u publikua artikulli, ministër ishte dikush tjetër, të cilin  Hasan Kaleshi e përmend me emër në artikull.

Nuk desha të thellohem në këtë shkrim më gjerësisht për biografinë e Hasan Kaleshit, sepse janë shkruar edhe disa artikuj në revistën që është publikuar ky shkrim dhe që kanë bërë fjalë në një mënyrë apo tjetër për autorin në fjalë dhe është prezantuar biografia e tij më gjerësisht, por lehtë mund të gjesh të dhëna më të bollshme edhe përmes mjeteve elektronike, librave të botuar  dhe simpoziumeve të mbajtura për të, kuptohet për ata që janë të interesuar të dinë më shumë.

Në lidhje me botimet në Shqipëri, Hasan Kaleshi,  shfaq shqetësimin e tij përmes një artikulli të botuar në të përditshmen e asaj kohe në Kosovë, gazetën “Rilindja” në Prishtinë më 9 gusht të vitit 1953 me titull: “ Rusifikimi i botimeve në Shqipni”. Duhet të potencoj se në kohën kur u publikua shkrimi në fjalë, gazeta “Rilindja”, botohej dy herë në javë deri në vitin 1964 dhe pas këtij vitit behët e përditshme.

Menduam se është më interes që lexuesit shqiptarë t’ua risjellim edhe një herë këtë shkrim për disa arsye.

E para- ky shkrim këtë vit kalendarik, bënë  60 vjetorin nga botimi i parë.

E dyta- në dy bibliografit e botuara për opusin shkencor të Hasan Kaleshit, nuk e kemi parë të jetë evidentuar ky shkrim.

E treta- ngritja e shqetësimit të Hasan Kaleshit ndaj botimeve në Shtetin Shqiptarë, behët në një kohë, kur askush nuk ka guxuar ta ngrejë zërin nga inteligjenca shqiptare për atë që po ndodhte me botimet në Shqipëri.

E katërta- nga autori i shkrimit akuzohet edhe ambasada Sovjetike në Tiranë, në një kohë kur marrëdhëniet Jugosllavi- BRSS- nuk ishin të këqija dhe Jugosllavia ishte pjesë sistemit komunist, sikurse që ishte BRSS, marrëdhëniet Shqipëri – Jugosllavi, ishin të tendosura dhe të shkruhet një artikull në këto rrethana politike specifike, mund të kishte edhe pasoja, por guximi intelektual dhe thënia e të vërtetës nuk njeh pengesa.

E pesta – se “ Hasan Kaleshi, për arsye të ndryshme pak çmohet nga kolegët e tij”- siç do të shprehej me plotë të drejtë edhe njëri nga studiuesit e njohur të historisë së Evropës Juglindore, gjatë një ligjërate të mbajtur në Prishtinë, zvicerani Conrad Clewing. Për mendimin tonë, Kaleshi dhe studimet tij edhe sot e kësaj dite, mbesin referenca për studiuesit ndërkombëtare dhe vendor, andaj ky shkrim do të jetë edhe një pikë reference për ata që dëshirojnë t’i qasen opusit shkencor dhe intelektual të Hasan Kaleshit.

E gjashta- derisa sot kemi shumë zëra për rish(kr)ikimin e historisë dhe të letërsisë, sepse për 50 vite të shekullit të kaluar e “kemi mësuar historinë dhe letërsinë keq”, të paktën kështu deklarohet sidomos nga studiues të huaj, por edhe vendor,  dhe më e zëshme në këtë aspekt është treguar shkolla gjermane. Hasan Kaleshi, me dellin e një shkencëtari, dija e të cilit kishte kaluar, kufitë e ish- Jugosllavisë, para 60 viteve i kishte bërë me dije opinionit shqipfolës, për rusifikim e botimeve dhe pasojat e këtij rusifikimi për kulturë kombëtare.

Siç u tha edhe më lartë, shkrimi është i botuar në vitin 1953 d.m.th para standardit të 1972, andaj, edhe ne kemi menduar që lexuesit t’ua ofrojmë në formën siç e ka publikuar vetë autori i artikullit në fjalë,  mendojmë se është më korrekte.

Rusifikimi i botimeve në Shqipni

Nji nga detyrat themelore qe shtroheshin përpara pushtetit populluer në Shqipni fillë  mbas çlirimit, pa dyshim ka qenë puna për rilindjen kulturore të popullit shqiptar dhe për vumjen  e themeleve të njij kulture me të vertetë kombetare. Sepse populli shqiptar, mbas njij robinje pesëqindvjeçare, e fitoi lirin e vet shtetnore memëzi para 40 vjetësh, periudhë shum e shkurtë për ta ba nji kalim të vrullshëm nga mesjeta në shekullin XX. Por edhe gjatë këtyne 40 vjetëve, tue jetue nën regjime antipopullore si dhe n’okupacion e luftë, nuk mujti me i shlye gjurmat e së kaluemes dhe kështu mbeti në nji nivel ma t’ultë të kulturës se popujt tjerë  t’ Europës dhe të Ballkanit. N’anën tjetër, inteligjenca shqiptare, e shkollueme jo nëpër univerzitet e veta kombëtare, të cilat nuk egzistojshin, por nëpër universitet e ndryshëme t’ Europës ( në pjesën ma të madhe n’Itali, Francë, Austri e Gjermani, kurse disa edhe në Jugosllavi, Greqi e Turqi), këthehej në Shqipni me botëkuptime dhe njohuni të ndryshëme, shpesh të hueja për popullin shqiptar. Po t’i  përmendim edhe shkollat e ndryshëme të mesme, amerikane, franceze dhe italjano- katolike, të cilat, t’a merr mendja, nuk kanë pasë ndërmend me punue për krijimin e njij kulture me të vërtete shqiptare, por me përhape kulturën e tyne, do të konstatojmë se ka egzistue nji konglomerat kulturash dhe ndikimesh, por nuk ka egzistue nji kulturë shqiptare.

Në vjetët e para mbas çlirimit, dukej se gjithë kjo mbeturinë e së kaluemes do të zhduket dhe që të mbërrihet ky qëllim, u muerën nji varg masash të randësishëme.

Si hap i parë që themelimi i institutit të studentave në Tiranë, ku u grumbullue nji numër i konsiderueshëm  i inteligjencis shqiptare.

Qëllimi i tij kryesuer qe koordinimi i punës shkencore, e sidomos vumja e themeleve  të njij kulture me të vërtete socialiste shqiptare.

Pranë institutit u formuen  nji varg seksionesh e sidomos iu dha randësi seksionit të letërsis, gjuhës, historis, etnologjis dhe të shkencave shoqnore.

Në këtë ringjallje kulturore, rol te veçantë duhej të luente edhe veprimtaria botuese, e cila në fillim ishte e drejtuese kah botimi i veprave të shkrimtarëve të rij dhe të vjetër shqiptarë( tue përjashtue Fishtën dhe Konicën pse veprat e tyne u vunë n’indeksin e librave të ndaluem si në kohën e Inkvizicjonit), i veprave të mëdha nga letërsia botërore si dhe kah botimi i veprave të ndryshëme nga fusha shoqnore, sidomos marksiste.

Por, prej rezolutës s’ Informbyros, e sidomos prej Kongresit të dytë të shkrimtarëve të Shqipnis mbajtun në tetuer të vjetit 1949, krijimtarija letrare dhe aktiviteti botues muerën nji rrymë krejt tjetër. Në Kongres, antari i Byrosë së Komitetit qendruer të Partisë së punës, Bedri Spahiu, muer mbi vedi rrolin e Zhdanovit për Shqipni dhe sado që asht marrë me punë teknike e kurr s’asht marrë as me shkencë as me letërsi, u mbajti nji ders shkrimtarëve të Shqipnis në lidhje me “ realizmin socjalist”, se si “ letërsija shqiptare duhet të zhvillohet patjetër simbas modelit të letërsis sovjetike”, e mbi të gjitha, se “ letërsia sovjetike duhet t’ua ndriçojë rrugën shkrimtarëve shqiptarë dhe t’u shërbejë si burim për frymëzimin e tyne.” E secili që nuk do t’u përmbahët këtyre urdhënave dhe që rastësisht devijon “ do të gjinden atje ku e ka vendin”. Në këtë mënyrë, shkrimtarët shqiptarë u detyruen me masa administrative  me iu përmabjtë verbnisht çdo gjaje që asht ruse dhe që vjen prej Bashkimit sovjetik, sado që në Shqipni duhej me i kërkue me pishë e me qiri ata që dijshin rusisht.

Asht e qartë se e gjithë kjo ka pasë për qëllim rusifikimin e kulturës dhe të letërsis shqiptare si dhe izolimin e plotë të popullit shqiptar prej kulturës së popujve tjerë. Natyrisht, nji politikë e këtillë ka dhanë rezultate katastrofale. Kjo shihet qartë veçanisht nga poltika botuese.

Në republikacjonin e UNESKO-s “ Index translationum”- Repertoire International des traductions” Paris 1952, ku janë përmbledhë të gjitha botimet gadi në të gjitha shtetet e Europës, pra edhe në Shqipni, mund të shihet tendenca e botimeve në Shqipni. Shënimet janë marr prej fletoreve “Bashkimi” dhe “ Zëri i popullit”, sepse Shqipnija nuk ka ndonji organ bibliografik as qe mban marrëdhanje bibliografike ndërkombëtare, gja që mund të thuhet se shënimet në publikacjonin e UNESKO-s nuk janë krejtësisht të plota. Por, kur të merret parasysh se janë ndjekë rregullisht “Bashkimi” dhe “ Zëri i popullit”, ku pa tjetër botohen shënime bibliografike dhe reçensjone të ndryshëme, mund të konstatohet se i paktë të do të jetë numri i atyne librave që nuk janë shënue n’indeksin e naltpërmendun.

E çfarë përfundimi mund të nxjerrin prej kësaj statistike? Pikë së pari, edhe çdo shiquesi ma pak t’informuem i bjen në sy rusifikimi i plotë i aktivitetit botues në Shqipni.

Kështu, prej ma se 50 veprash, të përkthyeme dhe origjinale që përmenden në këtë indeks, të botuese në pjesën ma të madhe prej vjetit 1939 e këndej, si dhe vepra që nuk kanë hy në publikacjonin e përparshëm, dy vepra janë nga Marksi, nji nga Englesi, nji nga Marksi e Englesi, 12 vepra origjinale, nji përkthim nga letërsia amerikane, kurse të gjitha të tjerat janë përkthime nga rusishtja. Shprehun me përqindje, përkthimet mbërrijnë 84. 4 % nga rusishtja. Kjo nuk duhet të na çudisi aspak, se e njajata gjendje asht edhe në shtetet tjera infobyroiste. Madje në Bullgari mbrritën në 90%.

Nga lama e beletristikës, prej 15 veprash, 14 janë të përkthyeme nga letërsija sovjetike, e vetem nji nga letersit e hueja- drama e njoftun “ Rranjë të thella” nga Gow James dhe D’usseau të cilën sigurisht e kanë përkthye për shak se vepra asht përkthye  dhe levdue në bashkimin Sovjetik. E shka asht edhe ma keq, prej të gjitha këtyre veprave, prej klasikëve rusë ka hy vetëm “ Evgenije Onjegin” i Pushkinit, ndërsa librat tjerë janë vepra me vleftë të dyshimtë të shkrimtarëve bashkëkohorë sovjetikë, si për shembull “Çashtje ruse” e Konstantin Simonovit, vepër propagandistike pa kurrfarë vlefte letrare, mandej “ Karakteri moskovit” nga Anatol Sofronov, pastaj vepra të Fadajevit, Boris Lavrenjevit, Nikollaj Virtës e tjerë.

Asht gja interesante se nuk shohim asni vepër të ndonjij shkrimtari bashkëkohor shqiptar, e lene ma klasik. Po të kishte dalë ndonji vepër origjinale, “ Bashkimi” dhe “ Zëri i popullit” sigurisht do të kishin shkrue dishka, mirë ose keq.

Përkthimet e Nolit duket ika gjetë i n’ajti fat si në kohën e Zogut, sepse asnjeri prej tyne nuk asht ribotue Veprat e Naimit, Çajupit mihidhen mbas shpije. Rinin dhe popullin duhet me e edukue në frymë sovjetike e jo në frymë kombëtare. Lidhja e shkrimtarëve të Shqipnis, në vend që të merret me botimin e veprave shqiptare, ka ardhë n’ide të çuditshëme me botue “ Novela sovjetike” dhe disa libra tjerë nga letërsia sovjetike.

Instituti i studimeve që ka pasë për qëllim me punue për krijimin e njij kulture me të vërtetë kombëtare, duket se asht shënrrue në nji institut për rusifikim. N’ edicjonin e tij janë botue: “ Partija bolshevike”, “ Çashtje të leninizmit” ( përkthye nga italishtja ), “ Shkrime komplete”  të Stalinit- vëllimi i parë, “ Pranimi në parti dhe edukimi i komunistave” nga njëfarë Slepov, “ Teorija marksiste mbi klasat dhe mbi luftën e klasave” prej Todosejev, etj.

Në Shqipni, sikurse edhe në shtetet tjera informbyroiste, ekziston shoqata Shqipni- BRSS. Kjo shoqatë e  “ miqve të Bashkimit sovjetik” luen nji rrol të rëndësishëm në rusifikimin e mbarë  jetës kulturore dhe n’adaptimin e letërsis dhe të shkencës simbas shembullit sovjetik. Përkah numëri i antarëve, kjo shoqatë asht shum e madhe, por shumica e antarëve janë regjistrue nga friga. Simbas rezultateve të deritashëme, mund të thuhet se shoqata i ka krye plotësisht qëllimet që ia ka shtrue Ambasada sovjetike. Teatri i Tiranës asht në duer të Rusëve. Nëpër kinemat mund të shifen vetëm filma sovjetikë. Nëpër shkolla, kurse, n’ushtri, rusishtja asht ma e randësishëme se shqipja. Fletorët “ Bashkimi” dhe “Zëri i popullit” kanë shum ma tepër  lajme prej Bashkimit sovjetik se sa prej Shqipnis. Emisjoni i Radio- Tiranes dhe emisioni shqip i Radio- Moskës nuk mund të dallohen, sepse të dy japin vetëm nga dy tri ljme prej Shqipnis, kurse krejt emisjoni i kushtohet popullarizimit të Bashkimit sovjetik.

Edhe kjo shoqatë boton libra në gjuhën shqipe. Në vjetin 1949 ka botue” Mësonjësi sovjetik në luftën patriotike”. Ndoshta ka pasë dëshirë që me këtë libër t’u ndihmojë mësuesave dhe pedagogëve shqiptarë, të cilet tash janë të detyruem me dhanë provime nga pedagogjija sovjetike! Qëllimet “ kulturore” të shoqatës mund të shifen edhe nga publikacjonet tjera siç janë “ Mbi artin sovjetik” nga Zhdanovi, “ Biografija e Stalinit” etj.

Në publikacjonin e përmendun t’UNESKO-s, janë përmbledhë edhe veprat origjinale të botuese gjatë kësaj kohe. Por, ato tregojnë shterpësin e plotë që i ka përfshi të gjitha fushat e jetës kulturore. Kështu gjejmë botime si këto: “ Në Kinën popullore” prej Qamil Buxhelit( 1951), “ Shqipni e vogël shembull i madh”, “ Arsimi në Shqipërin e re”( 1949), dhe “ Ligji i planit dyvjetor(1950) prej Enver Hoxhës, “ Pjesëmarrja e Shqipëris në luftën botore 1939- 1945”, “ Industrija e mijerat në Shqipëri”, Zhvillimi i industris në Shqipëri” etj.

Veprimtaria botuese ne Shqipni asht vetem nji nga aspektet e rusifikimit të kulturës shqiptare. Por, ky asht aq i theksuem sa që mund te shifet qartas se shka kupton Bashkimi sovjetik dhe udhëheqësija sovjetike me fjalët “ kulturë nacionale përkah forma dhe socjaliste përkah përmbajtja”, dhe shka nënkuptojnë udhëheqësat shqiptarë kur flasin për “ rilindjen kulturore të popullit shqiptar”.

  1. Kaleshi.