Sallatë e shpejtë me finok dhe portokaj

Për shijen e dimrit, finoku me portokallin është kombinimi më i mirë! Ka shije të freskët dhe vlera të padiskutueshme për organizmin. Nëse shtoni edhe fara të ndryshme do të plotësoni shijen dhe do ta bëni sallatën më të pasur!

Përbërësit: 3 finokë, 3 portokaj, 30g rrush të thatë, 60g stika pishe, 1 lugë gjelle fara kungulli, 1 lugë gjelle uthull molle, 5 lugë vaj ulliri i cilësisë së parë, kripë dhe piper sipas dëshirës.

Përgatitja:  Vendosni rrushin e thatë në një tas me pak ujë të nxehtë për rreth 10 minuta. Pastroni finokët duke iu hequr bishtat dhe fletët e para që janë edhe më të ashpra. Pritini në mënyrë të imët dhe vendosini në një tas sallate. Shtrydhni një nga tre portokajtë dhe vendoseni mënjanë lëngun e tyre. Pastroni pjesën e mbetur të portokajve duke iu hequr me një thikë gjithë pjesën e bardhë, pritini imët edhe ato dhe bashkojini me finokët. Shtrydhni rrushin dhe shtojani pjesës tjetër të përbërjes, po ashtu shtoni edhe farat e kungullit. Përziejini mirë të gjitha bashkë. Në një tigan që nuk ngjit, skuqni pak stikat e pishës dhe kur ato të jenë zbutur, shtojani sallatës. Në një blender hidhni 5-6g kripë, lëngun e portokallit që keni vënë mënjanë më parë, 5 lugët e vajit të ullirit, uthullën e mollës, përziejini mire së bashku duke u siguruar që salca të dalë e bukur dhe kremoze; më pas hidheni mbi sallatë dhe përziejeni edhe një herë mirë të gjithë para se ta shërbeni.