Sanders: Trump është gënjeshtar patologjik

Senatori amerikan, i cili kishte tentuar të marrë nominimin e Partisë Demokratike në zgjedhjet presidenciale, ka deklaruar se presidenti i SHBA-ve, Donald Trump është gënjeshtar patologjik, i cili po e dërgon vendin drejt autoritarizmit.

Në intervistë për “Guardian”, Sanders tha se sulmet e Trump në media dhe gjyqësi paraqesin sulm ndaj demokracisë.

“Lajm shumë i keq se kemi një president i cili është gënjeshtar patologjik. Trump gënjen gjithë kohën dhe mendoj se kjo nuk është e rastit, ka arsye për këtë. Ai gënjen për të mposhtur themelet e demokracisë amerikane”, ka thënë Sanders, i cili pësoi humbje në zgjedhjet partiake nga Hillary Clinton.

Sanders ka thënë se duhet ditur se çfarë ndikimi ka Trump në “oligarkinë ruse” dhe vlerësoi se Rusia ka pasur rol shumë të madh në zgjedhje. “Ai (Trump) duket se ka shumë mos pajtime me Australinë, Meksikën, me aleatët tanë shumëvjeçar, por asgjë pozitive nuk ka që të thotë për presidentin rus Vladimir Putin, i cili është lider autoritar”, ka thënë Sanders.