Presidenti amerikan Donald Trump ka miratuar një marrëveshje me Arabinë Saudite për një program bërthamor civil, i cili mund të hapë rrugën për pasurimin e uraniumit në mbretëri, raporton Wall Street Journal, duke cituar burime nga administrata amerikane.
Marrëveshja ka një afat prej 30 vjetësh dhe vlerësohet në dhjetëra miliarda dollarë. Kompanitë amerikane do të kenë një rol qendror në zhvillimin e infrastrukturës bërthamore të Arabisë Saudite, pa praninë e konkurrentëve të tjerë të huaj.
Ndër elementët e marrëveshjes parashikohet edhe mundësia e ndërtimit të një impianti për pasurimin e uraniumit, nëse kjo do të konsiderohet e nevojshme.
Sipas administratës amerikane, mënyra se si është strukturuar marrëveshja u garanton Shteteve të Bashkuara një kontroll de facto mbi programin bërthamor saudit, me qëllim që ai të mos përdoret për qëllime ushtarake.
Nuk dihet nëse Kongresi do të bjerë dakord, megjithatë, vëren Wall Street Journal, Kongresi vështirë se do të ketë fuqinë për ta bllokuar nismën, pasi për të kapërcyer një veto të mundshme presidenciale do të nevojitej një rezolutë e përbashkët e miratuar me shumicë prej dy të tretash.








