ShBA e shqetësuar për transformimin e FSK-së me Ligj

Ministri për Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK), Haki Demolli, sot priti në takim zëvendës ndihmësin e sekretarit amerikan të shtetit për çështje evropiane dhe euro aziatike, Hoyt Brian Yee.

Në një njoftim zyrtar nga MFSK thuhet se në takim të ministrit Demolli dhe të ndihmës sekretarit amerikan, Yee, të pranishëm ishin edhe zëvendësministri Muhamet Latifi dhe komandanti i FSK-së, gjeneral lejtnant Rrahman Rama, si dhe atasheu ushtarak i SHBA-ve, në Prishtinë, kolonel Jeffrey H. Fisher dhe këshilltari ushtarak Joshua Rubin, si shoqërues të Yee.

Gjatë këtij takimi ministri Haki Demolli, në emër të Ministrisë dhe FSK-së ka falënderuar zëvendës ndihmësin e sekretarit amerikan të shtetit për çështje evropiane dhe euro aziatike, Hoyt Yee, për ndihmën që SHBA-të po japin për FSK-në, duke vlerësuar lartë bashkëpunimin e dy shteteve dhe në veçanti partneritetin e Bashkëpunimit me Gardën Kombëtare të Ajovës.

Ministri Demolli po ashtu e njoftoi ndihmës sekretarin amerikan Yee me bashkëpunimin rajonal dhe atë ndërkombëtar, pjesëmarrjen e FSK-së në shumë trajnime me karakter rajonal si dhe sukseset e arritura në garat ndërkombëtare.

Gjithashtu ministri Haki Demolli, e njoftoi Yee edhe për bashkëpunimin me DIRI-in (Iniciative e rishikimit të Institucioneve të Mbrojtjes) në procesin e planifikimit të transformimit të FSK-së si edhe me ecurinë e zhvillimit të procedurave për projektligjin për zgjerimin e misionit të FSK-së.

Nga ana e tij, Hoyt Yee falënderoi ministrin Demolli për pritjen dhe përcolli mesazhin se Uashingtoni zyrtar është i shqetësuar rreth procesit të transformimit të FSK-së me ligj.