SHBA-ja dhe aleatët evropianë bien dakord të krijojnë mekanizëm të përbashkët për Ukrainën pas armëpushimit

Washingtoni dhe aleatët e tij evropianë kanë rënë dakord të krijojnë një mekanizëm monitorimi të armëpushimit për Ukrainën nën udhëheqjen e SHBA-së, si pjesë e një kuadri më të gjerë garancish sigurie që synon të sigurojë një paqe të qëndrueshme, tha të martën presidenti francez Emmanuel Macron, raporton Anadolu.

Marrëveshja u arrit gjatë takimit të “Koalicionit të të Vullnetshmëve”, i cili mblodhi së bashku liderë dhe zyrtarë të lartë nga 35 vende, NATO, BE-ja dhe Ukraina.

“Brenda koalicionit, mbi bazën e punës së bërë gjatë muajve të fundit, ne kemi konsoliduar qasjen tonë, duke filluar me krijimin e mekanizmave të monitorimit të armëpushimit, që do të jenë nën udhëheqjen e SHBA-së, me kontribute nga disa shtete që kanë shprehur gatishmërinë e tyre”, tha Macron.

Ai shtoi se ky mekanizëm do të mbështetet nga një koordinim më i ngushtë ushtarak midis aleatëve.

Për herë të parë, deklarata njeh atë që Macron e quajti “konvergjencë operacionale” mes vendeve të koalicionit, Ukrainës dhe SHBA-së për të ndërtuar garanci të besueshme sigurie për Kievin.

“Gjithashtu ramë dakord të krijojmë një qelizë koordinimi që do të integrojë plotësisht të gjitha forcat e armatosura përkatëse dhe do të sigurojë koordinim operacional midis koalicionit të të vullnetshmëve, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Ukrainës”, shtoi Macron.

Ai theksoi se përfshirja e SHBA-së do të jetë thelbësore për procesin, veçanërisht për shkak të kapaciteteve të tyre.

Macron nënvizoi edhe mbështetjen afatgjatë për forcat e armatosura të Ukrainës, të cilat i përshkroi si “linja e parë e mbrojtjes dhe e pengimit” ndaj agresionit të ardhshëm. Planet parashikojnë një formë ushtrie vullnetare prej rreth 800.000 trupash, që përfshin trajnimin, kapacitetet dhe burimet për të parandaluar sulme të reja.

Kryeministri britanik Keir Starmer tha se Mbretëria e Bashkuar do të vazhdojë të zgjerojë mbështetjen për mbrojtjen e Ukrainës vitin e ardhshëm, duke mbajtur njëkohësisht presionin mbi Rusinë.

“Ne do të vazhdojmë të rrisim mbështetjen tonë për mbrojtjen e Ukrainës në vitin 2026, në mënyrë që ajo të marrë pajisjet dhe përkrahjen që i nevojiten për të vazhduar luftën, dhe do të vazhdojmë të ushtrojmë presion ndaj Rusisë, përfshirë masa të tjera ndaj tregtarëve të naftës dhe operatorëve të flotës në hije që financojnë arkën e luftës së Putinit”, tha Starmer.

Ai gjithashtu përshkroi plane konkrete pas armëpushimit që janë dakorduar me Francën.

“I diskutuam këto çështje në detaje sot, prandaj mund të them se, pas një armëpushimi, Mbretëria e Bashkuar dhe Franca do të krijojnë qendra ushtarake në gjithë Ukrainën dhe do të ndërtojnë objekte të mbrojtura për armë dhe pajisje ushtarake për të mbështetur nevojat mbrojtëse të Ukrainës”, tha ai.

Macron ndërkohë vlerësoi përpjekjet e Gjermanisë, Italisë dhe Polonisë, si dhe theksoi gatishmërinë e Turqisë për të kontribuar në fushën detare, duke e quajtur atë një përgjegjësi “shumë të konsiderueshme”.