SHBA: Mbështesim të drejtën e shprehjes së popullit të Iranit

Qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) ka deklaruar se mbështesin të drejtën e popullit të Iranit për t’u shprehur në mënyrë paqësore, duke iu referuar protestave të fundit që po vazhdojnë në Iran, transmeton Anadolu Agency (AA).

“Mbështesin të drejtën e popullit të Iranit për t’u shprehur në një mënyrë paqësore. Ata meritojnë t’u dëgjohet zëri”, thuhet në një deklaratë me shkrim nga Zyra e Zëdhënësit të Shtëpisë së Bardhë.

“I ftojmë të gjitha palët relevante të ruajnë të drejtën themelore të shprehjes përmes rrugëve paqësore dhe të shmangen nga çdo veprim që do të kontribuonte në censurë”, theksohet më tej nga Shtëpia e Bardhë.

Presidenti i SHBA-ve Donald Trump dje përmes rrjetit social Twitter i bëri thirrje qeverisë iraniane të respektojë të drejtat e popullit.

Ndërkohë, zëdhënësja e Departamentit Amerikan të Shtetit, Heather Nauert, ka thënë se janë duke i ndjekur nga afër protestat antiqeveritare dhe se i dënojnë arrestimet gjatë protestave.

Ajo i akuzoi liderët e Iranit ta kanë shndërruar vendin në një “shtet mashtrues që eksporton dhunë, gjak dhe kaos”.

“Siç ka thënë edhe presidenti Trump, ai që më së shumti është dëmtuar nga liderët e Iranit është populli i Iranit. SHBA-të i dënojnë në mënyrë të rreptë arrestimet e protestuesve. I bëjmë thirrje të gjitha shteteve ta mbështesin haptazi popullin e Iranit dhe përpjekjet e tij për të fituar të drejtat dhe për t’i dhënë fund korrupsionit”, ka theksuar Nauert.

Ndryshe, pas qyteteve Meshhed dhe Kashmer, protestat antiqeveritare dhe presidentit Hasan Ruhani janë duke vazhduar në Kirmanshah.

Në pamjet e shpërndara në rrjetet sociale shihej se në protestat në Kirmanshah morën pjesë numër i madh i protestuesve. Protestat e organizuara për shkak të kostos së lartë të jetesës, thuhet se janë përhapur edhe në qytete të tjera të Iranit.