Ballina Lajmet Rajon dhe Botë SHBA miraton shitje të mundshme prej 3 miliardë dollarësh për mbështetjen e...

SHBA miraton shitje të mundshme prej 3 miliardë dollarësh për mbështetjen e avionëve F-15 të Arabisë Saudite

Shtetet e Bashkuara kanë miratuar një shitje të mundshme me vlerë rreth 3 miliardë dollarë për Arabinë Saudite, me qëllim mbështetjen dhe mirëmbajtjen e flotës së avionëve luftarakë F-15 të mbretërisë.

Sipas zyrtarëve amerikanë, Agjencia për Bashkëpunim të Sigurisë në Mbrojtje njoftoi të martën se Departamenti i Shtetit ka dhënë miratimin për shitjen e mundshme ushtarake, e cila përfshin pajisje dhe mbështetje teknike për avionët F-15. Certifikimi i nevojshëm i është dërguar Kongresit amerikan.

Agjencia theksoi se kjo shitje synon të mbështesë objektivat e politikës së jashtme dhe sigurisë kombëtare të SHBA-së, duke forcuar sigurinë e një aleati të rëndësishëm joanëtar të NATO-s, i cili konsiderohet faktor stabiliteti politik dhe zhvillimi ekonomik në rajonin e Gjirit.

Sipas njoftimit, shitja e propozuar nuk pritet të ndryshojë ekuilibrin ushtarak në rajon.

Ky vendim vjen pas një tjetër miratimi të dhënë javën e kaluar nga Departamenti i Shtetit për një shitje të mundshme të raketave Patriot dhe pajisjeve shoqëruese për Arabinë Saudite, me vlerë të vlerësuar rreth 9 miliardë dollarë.

Vizita e Princit të Kurorës saudite, Mohammed bin Salman, në Uashington në fund të vitit të kaluar çoi në një paketë shumë miliardëshe armësh dhe një marrëveshje strategjike të mbrojtjes mes dy vendeve. Në atë kohë, presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se SHBA do t’i shesë Arabisë Saudite edhe avionë luftarakë F-35, duke e cilësuar mbretërinë si një “aleat të madh”. /mesazhi