Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Shërbimi klimatik i BE-së: Evropa Perëndimore shënon qershorin më të nxehtë në...

Shërbimi klimatik i BE-së: Evropa Perëndimore shënon qershorin më të nxehtë në histori

Shërbimi i Ndryshimeve Klimatike i Kopernikut (C3S) ka bërë të ditur se Evropa Perëndimore këtë vit ka përjetuar qershorin më të nxehtë të regjistruar ndonjëherë, ndërsa temperaturat globale ishin të dytat më të lartat të regjistruara ndonjëherë për të njëjtin muaj, transmeton Anadolu.

Shërbimi i monitorimit klimatik i Bashkimit Evropian (BE) tha se temperaturat e larta u nxitën nga ngrohja e vazhdueshme në tokë dhe oqeane, me temperaturat e sipërfaqes së deteve që arritën nivelin më të lartë të regjistruar ndonjëherë për një muaj qershor.

Temperatura mesatare globale e ajrit në sipërfaqe gjatë qershorit ishte 16.54 gradë Celsius.

Shërbimi tha se temperatura mesatare e sipërfaqes së detit në oqeanet jashtë rajoneve polare, midis 60 gradëve gjerësi jugore dhe 60 gradëve gjerësi veriore, arriti një rekord prej 20.86 gradë Celsius.

Shërbimi klimatik theksoi se temperaturat jashtëzakonisht të larta të oqeaneve vazhduan në pjesë të mëdha të Paqësorit tropikal, ndërsa kushtet e El Ninos u zhvilluan dhe pritet të forcohen në muajt e ardhshëm.

Një valë e rëndë të nxehti preku pjesën më të madhe të Evropës Perëndimore dhe Evropës Qendrore gjatë gjysmës së dytë të qershorit, duke thyer rekorde mujore dhe rekorde absolute të temperaturave në disa vende.

Evropa Perëndimore regjistroi një temperaturë mesatare prej 20.74 gradë Celsius, duke regjistruar qershorin më të nxehtë ndonjëherë për këtë rajon.

Në të gjithë Evropën, temperatura mesatare e tokës arriti 19.14 gradë Celsius, duke u renditur si qershori i dytë më i nxehtë i regjistruar ndonjëherë.

Sipas shërbimit C3S, vala e të nxehtit erdhi disa javë pas një tjetër episodi intensiv të temperaturave të larta në muajin maj dhe u pasua nga një valë ekstreme nxehtësie në fillim të muajit korrik, duke nxjerrë në pah rritjen e shpeshtësisë dhe intensitetit të fenomeneve ekstreme të nxehtësisë.

“Qershori i vitit 2026 tregoi se sa thellësisht po ndryshon klima”, tha Samantha Burgess, udhëheqëse strategjike për klimën në Qendrën Evropiane për Parashikime Meteorologjike Afatmesme (ECMWF).

Krahas temperaturave ekstreme, pjesa më e madhe e Evropës kontinentale perëndimore përjetoi kushte më të thata se mesatarja gjatë qershorit.

C3S tha se presioni i lartë atmosferik i vazhdueshëm dhe kushtet e valëve të të nxehtit kontribuan në rritjen e rrezikut të thatësirave në disa pjesë të Evropës Lindore dhe shtuan aktivitetin e zjarreve pyjore, veçanërisht në Gadishullin Iberik dhe në jug të Francës.

Tokat e thata në Evropën Perëndimore dhe Evropën Qendrore, të cilat ishin krijuar tashmë gjatë valës së të nxehtit në muajin maj, përkeqësuan më tej kushtet e thatësirës.

Shtrirja e akullit detar në Arktik gjatë qershorit ishte rreth 5 për qind nën mesataren, duke u renditur si niveli i gjashtë më i ulët i regjistruar për këtë muaj.

Rëniet më të mëdha u vërejtën në detin verior Barents, veçanërisht rreth Svalbardit dhe Tokës së Franz Jozefit.

Në Antarktidë, shtrirja e akullit detar ishte rreth 8 për qind nën mesataren, duke u renditur gjithashtu si niveli i gjashtë më i ulët për muajin qershor.