Shoqëria ndikon shumë tek njeriu

Profeti Muhamed (a.s) ka thënë: “Njeriu është në fenë e shokut të tij, prandaj le të shikojë njeriu se kë ka për shok”.

Sado i aftë të jetë njeriu, sado i pasur apo i zgjuar që të jetë, ai ka nevojë për shokë, për miq e për shoqëri.

Ai ka nevojë për shokë që këshillojnë, për miq që e ndihmojnë, për shoqëri që i gjendet pranë kur ai ka nevojë.

Njeriu nuk jeton dot i vetëm. Prandaj thonë, që dënimi më i madh, që mund t`i bësh ndonjë njeriu, është që ta izolosh atë.

Shoqëria ndikon shumë tek njeriu.

Për këtë mjafton të pyesim ata prindër, fëmijët e të cilëve kanë marrë rrugën e së keqes, rrugën e drogës, prostitucionit e alkoolit.

Pjesa më e madhe e këtyre prindërve thonë: “Vallahi e kam pasur djalin shumë të mirë, por e prishi shoqëria”. Kjo është e vërtetë, pasi pjesën më të madhe të njerëzve i prish shoqëria e keqe. Nëse do të bësh mirë në një shoqëri të tillë, nuk të lenë shokët. Nëse do të ikësh, përsëri nuk të lenë shokët e kështu me radhë.

Nga ana tjetër edhe shoqëria e mirë ndikon për mirë. Pyeti ata njerëz, që Zoti ua hapi zemrën, pasi e kishin të mbyllur, ua ka hapur sytë pasi ishin të verbër, i nxori në jetë pasi ishin drejt vdekjes. Do të shikosh, se këta njerëz e falenderojnë Allahun (xh.sh), që iu ka dhënë shokë të mirë, të cilët e kanë mbajtur për krahu dhe nuk e kanë lënë të rrëzohet poshtë.

Profeti (a.s) ka thënë: “Ditën e Gjykimit do të ketë njerëz, që janë ulur në podiume prej drite rreth Arshit të Allahut (xh.sh). Fytyrat e tyre do të jenë dritë. Nuk janë as profetë e as dëshmorë, por profetët dhe dëshmorët i kanë zili këta njerëz. Ata janë njerëz, që e kanë dashur njëri – tjetrin për hir të Allahut (xh.sh)”.

Nga: Hoxhë Fidaim Fazliu