Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Shqipëri, mbahet takimi për dialogun parlamentar mbi luftën kundër racizmit dhe gjuhës...

Shqipëri, mbahet takimi për dialogun parlamentar mbi luftën kundër racizmit dhe gjuhës së urrejtjes

Kuvendi i Shqipërisë, në bashkëpunim me Zyrën e Këshillit të Evropës dhe Delegacionin e Bashkimit Evropian (BE) në Shqipëri ka organizuar takimin me temë “Forcimi i dialogut parlamentar mbi luftën kundër racizmit dhe gjuhës së urrejtjes në Shqipëri”, raporton Anadolu.

Pjesë aktivitetit të organizuar në ambientet e Kryesisë së Kuvendit të Shqipërisë ishin përfaqësues të Kuvendit të Shqipërisë, të zyrës së Këshillit të Evropës në Tiranë, të Delegacionit të BE-së në Shqipëri, deputetë dhe përfaqësues të institucioneve të ndryshme.

Kryetarja e Komisionit për të Drejtat e Njeriut dhe Mjetet e Informimit Publik në Kuvendin e Shqipërisë, Jorida Tabaku, gjatë fjalës në aktivitet u shpreh se takimi ka në fokus edhe diskutimet mbi forcimin e kuadrit ligjor të Shqipërisë, sidomos për të drejtat e njeriut.

“Më vjen mirë që një takim të parë për sa i përket kësaj teme jemi duke e organizuar këtu në Kuvendin i Shqipërisë, edhe me kërkesë të Këshillit të Evropës, për të nisur së pari një prezantim të rezultateve të një studimi dhe një analize në lidhje me gjuhën e urrejtjes, por edhe krahasimin e disa treguesve. Nga ana tjetër për të diskutuar edhe për forcimin e kuadrit ligjor të Shqipërisë, rrugën që ne duhet të ndërmarrim dhe rrugën që kemi përpara sidomos për të drejtat e njeriut, që lidhet edhe me grupkapitullin e parë të negociatave me Bashkimin Evropian”, tha ajo.

Tabaku theksoi se procesi i negociatave në vetvete mund të jetë një proces teknik, por sipas saj duhet të jetë një proces i hapur, transparent dhe gjithëpërfshirës.

“Integrimi në gjykimin tim është politik, është shoqëror, por nga ana tjetër është edhe moral, mbi të gjitha është edhe një kontratë me qytetarët, është një kontratë për të drejtat e qytetarëve. Ky proces nuk duhet të fokusohet vetëm tek raportet, por duhet të fokusohet tek ndryshimet në jetën reale”, tha Tabaku.

Kryetarja e Zyrës së Këshillit të Evropës në Tiranë, Giulia Re u shpreh se përpiqen që Shqipëria të përmbushë dhe të jetë në linjë me standardet evropiane për të drejtat e njeriut dhe se ofrojnë asistencë teknike dhe ndihmojmë në ngritjen e kapaciteteve.

“Shqipëria ka bërë përparim të dukshëm në drejtim të përmbushjes së kuadrit ligjor sipas standardeve evropiane, përfshirë edhe atë për barazinë gjinore. Në ligj përmendet edhe mbrojtja nga diskriminimi. Komisioni Evropian dhe Këshilli i Evropës punojnë së bashku për të ndihmuar Shqipërinë në rrugën e reformave dhe ky program është një nga mjetet më kryesor të këtij partneriteti”, theksoi Re.

Ajo shtoi se është krijuar një kuadër i fortë ligjor në luftën kundër gjuhës së urrejtjes dhe racizmit.

Sipas kryetares së Zyrës së Këshillit të Evropës në Tiranë, gjuha e urrejtjes minon besimin e qytetarëve tek institucionet.