Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Shqipëri, prezantohet nisma për ndryshimet ligjore mbi mospezullimin nga detyra për ministrat...

Shqipëri, prezantohet nisma për ndryshimet ligjore mbi mospezullimin nga detyra për ministrat dhe zyrtarë të tjerë

Në Shqipëri është prezantuar sot nisma që lidhet me ndryshimet në Kodin e Procedurës Penale për pjesën që nuk lejon pezullimin nga detyra për disa kategori zyrtarësh, raporton Anadolu.

Nisma vjen pas rastit dhe çështjes ndaj zv/kryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, ndaj së cilës Gjykata Kushtetuese la në fuqi masën e pezullimit nga gjykata.

Nisma në fjalë u prezantua sot në mbledhjen e grupit parlamentar të partisë në pushtet, Partisë Socialiste, të drejtuar nga kryeministri Edi Rama.

Gjatë fjalës së tij në mbledhjen në fjalë, duke iu referuar edhe posteve ministrore, Rama u shpreh se pezullimi nuk cenon personin, i cili prezumohet që është në një proces hetimi, por sipas tij pezullimi cenon funksionin.

“Në momentin kur pezullohet një ministër, nuk pezullohet thjesht vajtja në punë e një individi, pezullohet puna e një institucioni. Nisma thjesht dhe vetëm adreson një, juristët e quajnë boshllëk, unë them një problem që nuk duhet të shfaqet më, nuk duhet t’i shkojë më në mend askujt që me fuqinë e prokurorit dhe me verbërinë e gjykatësit që i shkon prokurorit nga mbrapa pa arsyetuar të marrë peng një funksion kushtetues”, tha Rama.

Kryetari i Komisionit për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike në Kuvendin e Shqipërisë dhe deputeti i Partisë Socialiste Ulsi Manja, prezantoi nismën ligjore të grupit parlamentar të PS-së për ndryshime në Kodin e Procedurës Penale.

Sipas tij, në ndryshimet që propozohen shtohet rrethi i subjekteve ndaj të cilëve nuk mund të jepet si masë pezullimi i ushtrimit të funksionit, si për presidentin e Republikës, Avokatin e Popullit, kryeministrin, zv.kryeministrin, ministrat, anëtarët e Gjykatës Kushtetuese dhe kryetarin e Kontrollit të Lartë të Shtetit.

Ndryshimet ligjore duhet të miratohen nga Kuvendi i Shqipërisë pas diskutimeve dhe shqyrtimit në komisionet parlamentare.

– Çështja ndaj Ballukut

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar (GJKKO) vendosi më 19 nëntor 2025 të pezullojë nga detyra zv.kryeministren dhe ministren e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku dhe gjithashtu ka vendosur ndaj saj edhe masën “ndalim të daljes jashtë shtetit”.

Sipas autoriteteve ajo akuzohet për veprën penale “shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”.

Çështja shkatoi reagime dhe u dërgua nga Qeveria e Shqipërisë në Gjykatën Kushtetuese, e cila kundërshton pezullimin.

Më 12 dhjetor, Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë vendosi pezullimin e vendimit të GJKKO-së.

Më 16 dhjetor, Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) konfirmoi se i ka kërkuar Kuvendit të Shqipërisë heqjen e imunitetit të Ballukut e cila është edhe deputete, “për arrestimin/heqjen e lirisë” ndaj saj.

Më 6 shkurt Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë ka lënë në fuqi vendimin e gjykatës për pezullimin ndaj zv.kryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë të Shqipërisë, Belinda Balluku.