nstitucionet në Shqipëri vazhdojnë të marrin masa shtesë për të parandaluar përhapjen e koronavirusit të ri (COVID-19), transmeton Anadolu Agency (AA)
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, në rrjetet sociale ka njoftuar se do të mbyllen hyrjet tokësore nga vendet fqinje me Shqipërinë, pa specifikuar ndonjë afat.
“Nga nesër, e diel 15 mars në mesnatë, ora 00:00, të gjitha hyrjet tokësore në Shqipëri nga Mali i Zi, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Greqia do të mbyllen për të gjithë udhëtarët me autobus, mikrobus apo veturë”, ka shkruar Rama.
Kryeministri Rama ka njoftuar më tej se kufiri tokësor i Shqipërisë do të qëndrojë kudo i hapur vetëm për transportin e mallrave.
Në kudër të masave, më herët është vendosur pezullimi i të gjitha fluturimeve dhe linjave të transportit detar, nga Shqipëria në Itali dhe anasjelltas, ndërsa ky vendim prek vetëm transportin e pasagjerëve, pasi do të vijojnë lundrimet e anijeve tregtare dhe fluturimet e avionëve të mallrave.
Pjesë e masave të njoftuara më parë është edhe pezullimi i transportit urban dhe i qarkullimit të automjeteve private në disa qytete, mbyllja e lokaleve dhe restoranteve në gjithë vendin dhe pezullimi i të gjitha aktiviteteve futbollistike, si dhe do të ndalohet edhe frekuentimi nga qytetarët i disa ambienteve publike.
Në gjithë vendin në institucionet arsimore publike dhe jopublike, është vendosur ndërprerja e procesit mësimor deri më 23 mars.
Kujtojmë se një 73-vjeçare humbi jetën më 11 mars në Shqipëri, e cila ishte e konfirmuar si paciente e prekur me koronavirusin e ri, duke shënuar viktimën e parë në vend nga COVID-19.
Në vend është rritur në 38 numri i rasteve me COVID-19, duke përfshirë edhe shtetasen që ka ndërruar jetë, sipas të dhënave të fundit zyrtare nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.








