Shqiptaret ndërmjet pozicionimit apo neutralitetit

Shkruan: Dr. Fidan Mustafa

Zhvillimet e shpejta globale, interesat dhe gjeoekonomitë botërore, po ripërcaktojnë rendin ekonomik dhe ushtarak kudo në botë. Pranvera arabe ishte një shkëndijë e shekullit XXI e cila po kalon jashtëzakonisht shpejtë përballë trendit të ngjarjeve ditore që po ndodhin kudo në botë. Ky trend i konflikteve dhe përplasjeve të superfuqive botërore në arenën ndërkombëtare veçse po vazhdon rivendosjen e një rendi të ri botëror me orientimin shumë polar.

Shikuar nga këndvështrimi gjeopolitik, superfuqitë botërore mbijetojnë dhe orientohen drejt sferave të influencave të tyre gjeopolitike e ekonomike përmes aleancave të tyre politike e ushtarake, ndërsa anën tjetër këto influenca gjithashtu zgjerohen dhe ri-pozicionohen krahas shteteve të vogla me influenca gjeopolitike lokale apo rajonale. Shtete shqiptare (Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia pjesërisht) përbëjnë unazën e këtij zinxhiri të rëndësisë gjeopolitik Euro-Azi.

Por sa është me interes pozicionimi shqiptar karshi zhvillimeve aktuale Rusinë njërën anë dhe anën tjetër Perëndimi, NATO dhe SHBA-të?

Shqiptarët historikisht kanë patur pozicionimet e tyre. Ndonëse në shumë raste pozicionimet ishin fatale, (Romë – Bizant, Bizant – Perandori Osmane, Perandori Osmane – Perëndim, Nazizmi-Komunizmi, etj), megjithatë popujt e vegjël dhe të dobët ushtarakisht nuk mund të mbijetojnë ndryshe, por megjithatë duhet ta kuptojnë pozicionin e tyre në këto marrëdhënie.

Sot orientimi shqiptar drejt anëtarësimit në NATO dhe BE po përcakton politikat e shumë vendeve në Ballkan. Sot Shqipëria, Maqedonia, Mali i Zi, janë anëtarë të NATO-së falë elementin orientues shqiptar që përcaktojnë peshoren e orientimeve të politikave shtetërore. Gjithashtu edhe Kosova është drejt anëtarësimit në NATO, si një rrugë e domosdoshme për paqe dhe siguri vendore e rajonale.

Megjithatë, shqiptarët duhet të kenë parasysh disa fakte:

E para: Elementi shqiptar përtej Ballkanit nuk përcakton asnjë element të rëndësisë politike e as ushtarake kudo tjetër;

E dyta: Shtetet shqiptare tashmë kanë orientimet e tyre karshi aleancave e miqve të tyre strategjik dhe se nuk është e nevojshme të marrin primatin e ngritjes së temave për të qenë të parat në nismat me peshë globale, sepse tek e fundit askush nuk pyet për këtë gjë.

E treta: Derisa shqiptarët nuk përcaktojnë as peshën ushtarake, as ekonomike e as politike, pozicioni shqiptar duhet të mbetet asimetrik në Ballkan dhe si një element ekuilibrues të influencës në rajon.

Krahas këtij realiteti, mund të themi se pozicionimi shqiptar duhet të mbetet i natyrshëm dhe me tendencën e rritjes së respektit dhe influencës brenda ndikimit zonal të Ballkanit. Kjo qasje në dekadat e ardhshme ripërcakton në mënyrë të natyrshme pozicionin shqiptar edhe brenda bllokut evropian në hapat e ardhshëm. Ndryshe vazhdimi i këtij trendi se cili shtet shqiptar po merr primatin për të patur zë apo një lajm në mediet ndërkombëtare duke shpalosur një pozicionim, mendoj se kjo i shkon përshtati vetëm armiqve të shqiptarëve dhe askujt tjetër në Ballkan e aq më pak aleatëve strategjik të shqiptarëve.