Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Shtetrrethim dhe një xhami e mbyllur: ç’po ndodh në Hebron?

Shtetrrethim dhe një xhami e mbyllur: ç’po ndodh në Hebron?

Ushtria izraelite ka dëbuar me forcë rreth 2.200 palestinezë nga banesat e tyre

Hebroni është shndërruar në një zonë katastrofe. Ushtria izraelite ka mbyllur të gjitha hyrje-daljet e qytetit në Bregun Perëndimor të pushtuar dhe ka dëbuar me forcë rreth 2.200 palestinezë nga banesat e tyre, deklaroi të shtunën në mbrëmje për Middle East Eye kryetari i bashkisë, Yousef Jaabari.

“Hebroni është tani një zonë katastrofe. Pushtuesit kanë mbyllur të gjitha hyrjet e qytetit. Askush nuk mund të hyjë apo të dalë”, tha Jaabari, duke akuzuar Izraelin se po zbaton një politikë ndëshkimi kolektiv pas një sulmi të përgjakshëm të ndodhur të premten.

Në orët e para të së premtes, dy palestinezë dyshohet se hapën zjarr ndaj trupave izraelite në një pikë kontrolli në veri të Hebronit, pranë pikës së kontrollit Farsh al-Hawa, në perëndim të qytetit.

Nga sulmi mbetën të vrarë dy ushtarë izraelitë dhe u plagosën tre të tjerë. Jaabari tha se forcat izraelite kishin dëbuar me forcë rreth 2.200 banorë, mes tyre të moshuar, gra dhe fëmijë, nga zonat Deir Bahala, al-Jalda dhe lagjet përreth.

Zona e prekur shtrihet në një sipërfaqe prej rreth 330 dynymësh dhe përfshin më shumë se 490 njësi banimi. Sipas Qendrës Palestineze të Informacionit, të shtunën në mbrëmje forcat izraelite arrestuan gjithashtu të paktën 40 palestinezë, ndërsa, në kuadër të operacionit të vazhdueshëm, shkatërruan biznese dhe ndërtesa banimi.

Banorët i thanë Middle East Eye se ushtarët u kishin dhënë familjeve vetëm pesë minuta kohë për t’u larguar nga shtëpitë. Ndërkohë, pamjet e publikuara në rrjetet sociale tregonin drejtues palestinezë kamionësh që bashkëpunonin për të nxjerrë mallrat dhe furnizimet nga fabrikat, përpara se ato të shkatërroheshin nga forcat izraelite.

“Ndërhymë përmes bashkisë së Hebronit dhe u gjetëm strehim banorëve”, tha Jaabari. “Tani po monitorojmë çdo hollësi dhe kemi shpallur gjendjen e jashtëzakonshme për t’u përballur me nevojat e tyre”.

Bashkia ka njoftuar gjithashtu krijimin e një linje telefonike emergjence për banorët që kanë nevojë për mbështetje dhe ndihmë për shkak të dëbimeve të detyruara.

Pas sulmit të së premtes, forcat izraelite mbyllën xhaminë Ibrahimi në Hebron, një objekt i trashëgimisë botërore palestineze i njohur nga UNESCO, dhe dëbuan prej saj personelin dhe kujdestarët, sipas Ministrisë Palestineze të Vakëfeve dhe Çështjeve Fetare.

Aktualisht, në xhami nuk po zhvillohen lutje dhe ushtria izraelite ka ndaluar edhe thirrjen për falje, deklaroi kryetari i bashkisë, Jaabari.

Xhamia e lashtë është ndër vendet më të shenjta për islamin, judaizmin dhe krishterimin. Ajo është administruar nga palestinezët dhe ka shërbyer si xhami për më shumë se 1.400 vjet.

Muajt e fundit, Izraeli ka kërkuar të zgjerojë kontrollin mbi këtë objekt, duke vendosur kufizime gjithnjë e më të rrepta. Masat kanë përfshirë ndalimin e hyrjes për besimtarët myslimanë, kufizimin e thirrjes për falje dhe lehtësimin e ndërhyrjeve të kolonëve izraelitë në kompleksin fetar.

Kryetari i bashkisë së Hebronit akuzoi anëtarë të së djathtës ekstreme në qeverinë izraelite se po shfrytëzojnë qytetin, vendin e tij të shenjtë dhe banorët për qëllime elektorale.

“Edhe koha kur po ndodh kjo është e dyshimtë”, tha Jaabari, duke pretenduar se politikanë të së djathtës ekstreme po përpiqen të përdorin Hebronin, xhaminë Ibrahimi, banorët dhe banesat e tyre si “reklamë elektorale falas” për ministra të caktuar që do të garojnë në zgjedhjet e ditëve të ardhshme.

Operacioni i ushtrisë izraelite ka lënë qindra familje pa shtëpi dhe ka paralizuar jetën e qytetit, ndërsa mbyllja e xhamisë Ibrahimi ka shtuar shqetësimet për kufizimet ndaj besimtarëve palestinezë dhe për kontrollin mbi një prej vendeve më të rëndësishme fetare të rajonit. \tesheshi