Shtyhet nisja e vitit të ri shkollor!

Evis Kushi

Ministrja e Arsimit Evis Kushi, me anë të një konference për mediat ka njoftuar vendimin e dikasterit që ajo drejton për të shtyrë nisjen e vitit të ri shkollor 2021-2022.

Viti shkollor ishte planifikuar të fillonte në datën 13 shtator, por Kushi ka bërë me dije se kjo datë është shtyrë për në 27 shtator, ndërkohë mësimi plotësues do të fillojë që në datën 1 shtator, por nxënësit nuk do të jenë të detyruar të shkojnë çdo ditë.

“Duke vlerësuar dhe shqyrtuar me kujdes shqetësimet dhe sugjerimet e ardhura nga mësuesit dhe prindërit, vendosëm të zgjasim periudhën e mësimit plotësues deri në nisjen e vitit të ri shkollor, jo më 13 shtator, por më 27 shtator 2021. Gjatë periudhës së mësimit plotësues, që nis që më 1 shtator, nxënësit nuk janë të detyruar të shkojnë çdo ditë në shkollë, ndërsa mësuesit dhe të gjitha stafet shkollore do të jenë aty me kohë të plotë për të ofruar krahas mësimit plotësues, edhe veprimtari të ndryshme sportive, artistike dhe kulturore. Faleminderit dhe suksese të gjithëve!”- ka thënë mes të tjerash ministrja Kushi.