Shumica e rusëve të vrarë janë të rinj, të varfër e të pakicave etnike

Pjesa më e madhe e mijëra ushtarëve rusë të vrarë në tentimin për pushtimin e Ukrainës janë të rinj, me prejardhje të varfër dhe shumica pjesë e pakicave etnike. Rusia ka qenë shumë e mbyllur sa i përket numrit të ushtarëve të vrarë në luftime ndaj ukrainasve, shkruan “France24” të martën.

Më 2 mars, në një publikim, rusët thanë se iu janë vrarë 498 ushtarë, ndërsa 23 ditë më vonë, numri i rusëve të vrarë sipas autoriteteve në Moskë, shkoi në 1.351, pa i dhënë identitetet apo detaje të tjera.

Ndërkohë forcat ukrainase pretendojnë se i kanë vrarë rreth 27 mijë rusë deri më tash, e burimet perëndimore thonë se ky numër është edhe më i lartë.

“Rusia aktualisht ka humbur një të treten e forcës luftarake tokësore që nga shkurti”, deklaroi Ministria britanike e Mbrojtjes, duke treguar se rreth 50 mijë ushtarë rusë janë vrarë apo plagosur.

Mediumi opozitar rus “Mediazona”, deklaroi se është konfirmuar vdekja e 2.099 ushtarëve rusë deri më 6 maj, duke shtuar se mosha mesatare e të vrarëve sillet mes 21 e 23-vjeç, ndërsa 74 prej tyre nuk i kishin mbushur as 20 vjet.

Shumica e të vrarëve, sipas një ndarjeje rajonale, janë nga jugu i Rusisë, duke përfshirë rajonin kryesisht mysliman të Kaukazit Verior si dhe Siberinë qendrore. Vetëm një pjesë e vogël e të vrarëve janë nga Moska dhe Shën Petersburgu, që dukshëm janë qytete më të pasura se të tjerat.

“Numri më i madh i ushtarëve dhe oficerëve brenda trupave tokësore vjen nga qytetet dhe fshatrat e vogla të Rusisë. Ai lidhet me shtresëzimin socio-ekonomik dhe, rrjedhimisht arsimor”, ka deklaruar Pavel Luzin, një analist për faqen e lajmeve në internet “Riddle Russia”.

Ai shtoi se kërkesat për shërbim ushtarak në trupat tokësore ruse janë relativisht të ulëta, ndërsa ushtarakët aktualë, ndërrojnë departament, nga ai tokësor te departamenti i forcave ajrore, raketore dhe detare.

Nurmagodem Gadzhimagomedov, një i ri nga rajoni i Dagestanit, territor rus, ishte ushtari i parë rus i konfirmuar zyrtarisht nga Moska se ishte vrarë nga forcat ukrainase. Gadzhimagomedovin, presidenti Vladimir Putin, e nderoi post-mortem duke ia ndarë çmimin “Heroi i Rusisë”.

Dagestani është ndër zonat më të varfra në Rusi, që për vite me radhë, ka luftuar ndaj kryengritjeve islamike.

Kreu i distriktit, Kamil Iziievi, iu ndau çmime shtetërore familjeve që i humbën bijtë në tokën ukrainase.

“Duhet të jetoni si nëna të fëmijëve, baballarët e të cilëve hoqën dorë heroikisht nga jeta. Të dashur të afërm, ju kërkoj të mbani mend se një person është gjallë për aq kohë sa kujtohet. Pra, le t’i kujtojmë këta djem”, tha ai. /koha