Libri i ri i Omer Bartov eksploron se ku gaboi saktësisht Izraeli
Në një intervistë për Haaretz para botimit të librit “Izraeli: çfarë shkoi keq”, studiuesi i mirënjohur i gjenocidit, Omer Bartov, flet për shkëmbimin e letrave me Yitzhak Rabin-in kur ishte ushtar i ri, gabimet në krahasimet Holokaust-Hamas dhe pse mendon se edhe izraelitët duhet ta braktisin sionizmin.
Në maj 2024, historiani me origjinë izraelite Omer Bartov arriti në përfundimin se ajo që po shihte në Gaza përmbushte përkufizimin e gjenocidit sipas Konventës së OKB-së të vitit 1948. Bartov lindi në Ein HaHoresh, një kibuc në Izraelin qendror.
Ai luftoi në Luftën e Jom Kipurit dhe, pasi u diplomua në Universitetin e Tel Avivit dhe Oksfordit, u zhvendos në SHBA në vitin 1989. Ai jep mësim në Universitetin Brown që nga viti 2000 dhe është profesor i Studimeve të Holokaustit dhe Gjenocidit.
Sot, Bartov është një nga studiuesit më të cituar në botë për Holokaustin. Në librin e tij të ri, i cili lindi nga esetë e shkruara pas ngjarjeve të 7 tetorit 2023, Bartov përballet me pyetjen se si ai – dhe Izraeli – arritën deri këtu.
Ju keni lindur në Izrael, keni shërbyer në ushtri (IDF) dhe libri është personal dhe i ashpër…
Unë nuk jam antisionist – jam rritur në një shtëpi sioniste. Unë nuk jam kundër ekzistencës së shtetit të Izraelit. Por sionizmi si ideologji nuk konsumoi thjesht rrugëtimin e tij – ai u bë diçka që unë nuk e njoh më. U bë ideologji shtetërore. Dhe u bë jo vetëm militarist dhe ekspansionist, por edhe racist, jashtëzakonisht i dhunshëm dhe përfundimisht një ideologji që dëmton shumë individin dhe kolektivin.
Një ideologji e tillë nuk ka vend. Është ironike dhe tragjike që një lëvizje që filloi si përpjekje për të liruar hebrenjtë nga persekutimi, për t’u dhënë atyre një vend të tyren – një proces emancipimi dhe aspirate humanitare – ka degraduar në një ideologji raciste dhe të dhunshme.
A mendoni se kjo gjë ishte e pashmangshme?
Nuk e besoj. Kapitulli më i gjatë në libër flet për kushtetutën që i mungon Izraelit. Pa një kushtetutë që mbron të drejtat e të gjithëve, sionizmi, pasi u bë ideologji shtetërore, hoqi dorë nga opsioni për t’u bërë një shtet normal për qytetarët e tij.
Pati përpjekje për të ndryshuar drejtimin, më e rëndësishmja në fillim të viteve 1990 me Oslon. Ajo përpjekje u bllokua me dhunë, me inkurajimin e Netanyahut dhe me vrasjen e Rabinit. Nuk thuhet mjaftueshëm se gjaku i Yitzhak Rabin-it është në duart e Netanyahut – Netanyahu ishte përfituesi kryesor i një prej vrasjeve politike më të suksesshme të shekullit XX-të.
Ku e lë kjo sionizmin tani?
Izraeli nuk mund të ekzistojë si shtet normal nën ideologjinë e sionizmit. Sionizmi duhet të zhduket. Shteti do të mbetet. Pyetja është çfarë lloj shteti do të jetë. Ai duhet të ndryshojë rrënjësisht. Nën ideologjinë sioniste, nuk mundet të ekzistojë më.
Nëse nuk heq dorë prej saj, do të bëhet një shtet i plotë aparteidi, një demokraci joliberale në rastin më të mirë, shumë e dhunshme, dhe përfundimisht do të humbasë elitën e saj të arsimuar. Do të bëhet një shtet i padëshiruar, i izoluar nga bota. Do të humbasë mbështetjen e aleatëve të rëndësishëm – Evropës, SHBA – dhe të komuniteteve hebraike në mbarë botën.
Duket sikur edhe fjala “sionizëm” ka humbur kuptimin. Ben-Gvir e quan veten sionist, po ashtu edhe Joe Biden. A nuk është kjo ideologji tashmë e vdekur, e përthithur nga makineria e shtetit?
Holokausti u bë gradualisht ngjitësi që mban bashkë shoqërinë izraelite. Një ngjarje historike u shndërrua në një kërcënim të vazhdueshëm: jo diçka që ndodhi në të kaluarën, por diçka gjithmonë në prag. Pas 7 tetorit, këto dy gjëra u shkrinë.
Nëse sionizmi mundi të çonte në gjenocidin në Gaza, ai nuk mund të qëndrojë më si ideologji. Dhe nëse Izraeli e përdori gjithmonë Holokaustin për të justifikuar çdo gjë, nuk mundet që përgjigjja ndaj Holokaustit të jetë një tjetër gjenocid. Nëse Izraeli po bëhet një shtet i përbuzur në arenën ndërkombëtare, ky nuk është produkt i antisemitizmit – është produkt i veprimeve të Izraelit.
Kundërargumenti është: shihni çfarë bëri Hamasi më 7 tetor. Ata thonë se do ta përsërisin…
Ajo që bëri Hamasi më 7 tetor ishte krim lufte. Por ka një çështje tjetër. Rezistenca ndaj pushtimit, rrethimit, përpjekjes për të kontrolluar një popull që kërkon vetëvendosje, është legjitime. Edhe milicitë para-shtetërore sioniste (Haganah, Etzel) e bënë këtë.
Rezistenca e armatosur është plotësisht legjitime sipas ligjit ndërkombëtar – në Izrael nuk duan të flasin për këtë. E drejta për të rezistuar ndaj një pushtimi nuk të jep të drejtën të kryesh masakra. Ashtu si e drejta për vetëmbrojtje, që Izraeli pretendon gjithmonë, nuk i jep të drejtën Izraelit të kryejë masakra.
Gjenocidi kuptohet në disa nivele: historik, ligjor dhe moral. Si i bashkoni këto?
Unë e filloj analizën me nivelin ligjor. Konventa e vitit 1948 është përkufizimi i vetëm i vlefshëm në ligjin ndërkombëtar. Në nëntor 2023, shkrova se kishte krime lufte, dhe nëse nuk do të ndaleshin, do të bëhej gjenocid.
Shpresoja që administrata Biden do të bënte diçka. Ajo nuk bëri asgjë. Në maj 2024 u bë e qartë – sjellja në terren ishte shkatërrim sistematik i Gazës, logjika e së cilës ishte spastrimi etnik. Ashtu si Holokausti, ky është gjenocid.
Kur ndjetë për herë të parë se Izraeli po shkonte drejt një rruge pa kthim?
Gjatë Intifadës së Parë. Isha oficer rezervist dhe Rabini na thoshte “t’u thyenim krahët dhe këmbët palestinezëve”. I shkrova Rabinit një shënim, duke i thënë se kisha parë sjellje të IDF-së që i njihja nga kërkimet e mia mbi Wehrmacht-in.
Për habinë time, ai u përgjigj – ishte i tërbuar që unë krahasoja ushtarët izraelitë me ata gjermanë. Sot është shumë më keq. Tani ushtria është krejt tjetër. Një pjesë e madhe e njësive luftarake janë fetare. Raportet që shoh nga Gaza përshkruajnë njësi që operojnë sipas frymës së komandantit lokal, i cili u jep urdhra ditorë mesianikë. Ata luten para betejës – “Shkatërroni Amalekun” (referencë biblike për shfarosje).
Duket se ka një dimension fetar që nuk ekzistonte më parë…
Në Izrael ka ndodhur një transformim rrënjësor i vetë Judaizmit në një fe politike, e gërshetuar me një version mesianik të sionizmit. Nuk më pëlqen ta quaj fashizëm atë që po ndodh në Izrael – është diçka tjetër. Por në Izrael ky version ka prodhuar në fakt një legjitimim hyjnor ose rabinik për gjenocidin.
Kjo po krijon një çarje të thellë me hebrenjtë e botës, veçanërisht ata amerikanë, të cilët nuk mund ta pranojnë. Nuk mund të jesh një pakicë liberale hebraike në SHBA dhe në të njëjtën kohë të mbështesësh atë që po bën Izraeli. /tesheshi







