Sistemi i mbrojtjes ajrore KORKUT i Turqisë vazhdon të rrisë kapacitetet në mbrojtjen ajrore

ASELSAN ka nxjerrë në terren sistemin e mbrojtjes ajrore me rreze të ulët KORKUT 140/35, të integruar në një mjet taktik me rrota 8×8, raporton Anadolu.

I zhvilluar në kuadër të industrisë turke të mbrojtjes për mbrojtjen ajrore me rreze të ulët, KORKUT po fiton aftësi të reja operacionale.

KORKUT, i cili fillimisht hyri në inventarin e forcave të sigurisë me versionin me zinxhirë dhe më pas shënoi suksese në eksport, është integruar në një mjet të blinduar me rrota për të rritur kapacitetin e mobilitetit dhe për t’u përshtatur me terrene dhe misione të ndryshme.

KORKUT i integruar në mjetin 8×8, i cili u ekspozua për herë të parë në Panairin “Paris Eurosatory 2024”, neutralizoi me sukses një avion objektiv gjatë testeve të qitjes në lëvizje.

Si një nga komponentët e sistemit të integruar shumë-shtresor të mbrojtjes ajrore “Kupola e Çeliktë”, sistemi KORKUT 140/35 është optimizuar veçanërisht për të siguruar mbrojtjen ajrore të njësive të mekanizuara dhe elementeve të lëvizshme.

Struktura operacionale e sistemit KORKUT përbëhet nga një njësi me 3 mjete të sistemit të armëve dhe 1 mjet komandë-kontrolli që koordinon këto mjete. I pajisur me sistem armësh me dy gryka 35 milimetra, me kapacitet 1.100 qitje në minutë, KORKUT ka rreze efektive veprimi deri në 4 kilometra.

Falë përdorimit të municionit fragmentues ATOM 35 mm të prodhuar nga ASELSAN, sistemi ofron efektivitet kundër avionëve luftarakë, helikopterëve, mjeteve ajrore pa pilot (dronë), tufave të dronëve, raketave ajër-tokë dhe raketave balistike.

KORKUT, falë kullës së stabilizuar të armëve, mund të kryejë qitje precize edhe kur mjeti është në lëvizje.

Ndërsa zbulon objektivat përmes radarit tredimensional të kërkimit, sistemi siguron bllokim të saktë falë radarit të kontrollit të zjarrit dhe sensorëve elektro-optikë të integruar në platformën e ndjekjes.