Komuna e Drenasit njofton se si pasojë e reshjeve të dendura dhe vërshimeve, përgjatë lumit Drenica, uji ka depërtuar në disa shtëpi dhe biznese, ndërsa disa segmente rrugore janë të pakalueshme. Disa familje janë evakuar nga rreziku i vërshimeve, ndërsa rryma elektrike është ndërprerë.
Rruga nga Drenasi drejt Komoranit, te “Trafoja” është bllokuar, rruga e Feronikelit drejt Kronit të Mbretit është po ashtu e bllokuar. Niveli i lartë i ujit shfaqet edhe në Komoran, Çikatovë të vjetër dhe në lagje të komunës.
Kalimi nga qyteti i Drenasit për magjistrale bëhet nëpër Shtrubullovë-Krajkovë-Llapushnik, dhe alternativa tjetër, Drenas-Damanek-Krajkovë-Llapushnik.
Për arsye sigurie, ftohen qytetarët që të mos dalin nga shtëpitë pa nevojë dhe të shmangin lëvizjet në zonat e rrezikuara, derisa gjendja të stabilizohet.
Në këtë situatë të rënduar, falënderojmë personat me automjete private të cilët e ndihmuan përballimin e situatës me ekipet në terren.
Ekipet kompetente janë në terren po bëjnë përpjekje për të lehtësuar gjendjen dhe po monitorojnë situatën. Çdo informacion shtesë do të bëhet publik me kohë.








