Slloveni – Kryeministri nacionalist Jansha humbet në zgjedhjet parlamentare

Janez Jansha

Kryeministri slloven Janez Jansha, i krahut të djathtë, duket se ka humbur mundësinë për t’u rizgjedhur për një mandat të katërt, sipas parashikimeve.

“Lëvizja për Liri e Robert Golob fitoi 36% të votave krahasuar me 23% të Partisë Demokratike Sllovene (SDS) të Jansha”, sipas një sondazhi të Institutit Mediana.

Nëse parashikimi konfirmohet, 55-vjeçari Golob do të ishte në rrugën e duhur për t’u bërë kryeministri i ardhshëm i Sllovenisë.

Faktor vendimtar, megjithatë, do të ishte arritja e një shumice në Asamblenë Kombëtare me 90 vende, në Lubjanë.

Lëvizja për Liri, së bashku me partitë e qendrës së majtë të cilat arritën të hyjnë në parlament, duhet të fitojnë një shumicë votash.

“SDS-ja e Jansha do të kishte vetëm partinë konservatore NSi si partner të mundshëm”, sipas parashikimeve.

Jansha, 63 vjeç, është një veteran i politikës i cili arriti të fitonte mandatin e tretë si kryeminister në mars të vitit 2020. /atsh