Ballina Artikuj Sot feston ai që ka mbjellë dje.

Sot feston ai që ka mbjellë dje.

Hoxhë Halil Avdulli

Koncepti i festimit në historinë e njerëzimit ka qenë gjithmonë i ndërlidhur me korrjen, para se të lidhej me ndonjë kuptim fetar ritual “abstrakt”. Duke e ditur se vetë festimi i suksesit natyrshëm shoqërohet me mirënjohje dhe falënderim ndaj Krijuesit, atëherë ai në thelb lidhet edhe me fenë.

Kështu, festat në historinë njerëzore kanë pasur të bëjnë me korrjen e një suksesi apo arritjeje, që do të thotë se festa është një “datë” që shënon përfundimin me sukses të një faze dhe fillimin e një faze të re.

Me kalimin e kohës, kuptimi i suksesit e ka humbur disi peshën që kishte dikur. Larmia e jetës njerëzore dhe mënyrat e saj kanë bërë që të keto festa që shënojnë fundin e një faze edhe pa pasur një arritje të vërtetë. Megjithatë, çdo festë mbetet, në një farë mënyre, një zgjatim i idesë së parë: korrja e asaj që ke mbjellë.

Bajrami i Fitrit është festimi i të korrave të asaj që keni mbjellë gjatë gjithë Ramazanit.
A keni arritur faljen dhe çlirimin nga zjarri që e synuat që nga dita e parë?
A keni arritur shpërblimin dhe çiltërsinë?
A keni dalë nga Ramazani si një njeri i ri, me një përvojë shpirtërore që ndikon në jetën tuaj?

E gjithë kjo është e mundur, me shkallë të ndryshme nga një person te tjetri, dhe në një masë që e di vetëm Allahu por që gjithsesi ekziston, në një mënyrë apo në një tjetër.

Ramazani ishte mundësi për të mbjellë.
Bajrami është festa e të korrave.
Mirëupafshim deri në korrjet e tjera.

Hoxhë Halil Avdulli