Spanjë, autoritetet tatimore refuzojnë ofertën e Ronaldos

Autoritetet tatimore spanjolle të mërkurën kanë refuzuar ofertën e Cristiano Ronaldos, lojtarit të Real Madridit prej 14 milionë euro për të mbyllur rastin e mashtrimit. Futbollisti portugez bëri ofertën në fjalë dhe pranimin e fajësisë në shkëmbim të uljes së dënimit me burgim dy vjeçar, transmeton Anadolu Agency (AA).

Sipas ligjit spanjoll nëse i dënuari me burgim maksimal prej dy vitesh më parë nuk ka patur aktgjykim atëherë nuk vuan dënimin me burg.

Prokuroria spanjolle në qershor të vitit të kaluar akuzoi Ronaldon për mashtrim tatimor me vlerë prej 14.8 milionë euro.

Drejtoria tatimore e Spanjës ka hedhur poshtë ofertën e Ronaldos, duke kërkuar që ai të paguajë shumën totale të obligimit tatimor, plus kamatën, gjobën me para dhe shpenzimet gjyqësore, e cila në total arrin afër 28 milionë euro.

Ronaldo mund ta paguajë këtë shumë deri më 15 qershor të këtij viti ose në të kundërtën do të gjykohet për mashtrim tatimor pas kthimit nga Kampionati Botëror në Rusi.

Nëse portugezi vendos të shkojë në gjykim, atëherë mund të përballet me dënim me burgim prej të paktën 8 vitesh nëse shpallet fajtor.