Sipas një studimi, rreth 1.6 milionë të rritur në Mbretinë e Bashkuar kanë përdorur barna për humbje peshe gjatë vitit të kaluar, ndërsa mbi 3.3 milionë të tjerë shprehen të interesuar t’i përdorin këto barna gjatë vitit të ardhshëm, transmeton Anadolu.
Studiues nga Kolegji Universitar i Londrës (UCL) zbuluan se rreth 1.6 milionë të rritur në Angli, Uells dhe Skoci kanë përdorur barna si ‘Wegovy’ dhe ‘Mounjaro’ për të ndihmuar humbjen në peshë mes fillimit të vitit 2024 dhe fillimit të vitit 2025.
Studimi, i publikuar në revistën ‘BMC Medicine’ dhe i financuar nga ‘Cancer Research UK’, u bazua në të dhënat e 5.260 personave përfaqësues të popullsisë së përgjithshme, të cilët iu përgjigjën një ankete në fillim të vitit 2025.
Sipas studimit, përdorimi i barnave ishte dy herë më i shpeshtë te gratë sesa te burrat dhe më i zakonshëm te personat e moshës së mesme (45–55 vjeç) dhe te ata që raportuan shqetësime psikologjike.
Studiuesit gjithashtu gjetën se nivelet e përdorimit ishin të ngjashme në të gjitha shtresat shoqërore, por interesi për përdorimin e barnave për humbje peshe në të ardhmen ishte më i madh te grupet zakonisht më të pafavorizuara, ku obeziteti është më i përhapur.
Sarah Jackson nga Instituti i Epidemiologjisë dhe Kujdesit Shëndetësor në UCL, njëkohësisht autorja kryesore e studimit, tha se “gjetjet tona tregojnë se rreth 4.9 milionë të rritur në Mbretërinë e Bashkuar, gati një në 10, ose kanë përdorur së fundmi një bar për humbje peshe ose janë të interesuar ta përdorin në të ardhmen e afërt”.
Ajo shtoi se ky nivel përdorimi tejkalon dukshëm synimin fillestar të ‘NHS England’ për t’ua përshkruar këto barna 220 mijë personave brenda tre vitesh.
Bashkë-autorja Clare Lleëellyn nga i njëjti institut theksoi se shumë njerëz po i sigurojnë këto medikamente jashtë NHS-së.
“Teksa normat e obezitetit rriten në Mbretërinë e Bashkuar, ky studim tregon interes gjithnjë në rritje të publikut për barna për humbje peshe”, tha Jo Harby, drejtor i Informacionit Shëndetësor në ‘Cancer Research UK’.
Ai paralajmëroi se megjithëse këto barna mund të ndihmojnë në humbjen e peshës, ato nuk janë “zgjidhje magjike”, pasi provat sugjerojnë se shumica e njerëzve e rifitojnë peshën pas përfundimit të trajtimit.


