Studimi konfirmon: Fëmijët që kalojnë kohë para ekraneve kanë vonesa në zhvillim

Studimet shkencore kanë vërtetuar se fëmijët që kalojnë shumë kohë para ekraneve – televizorë, kompjuterë, tableta e telefona – kanë vonesë në zhvillim.

“Koha pasive e kaluar para ekranit, si shikimi pa vëmendje i televizorit apo videove, mund të mos i lejojë fëmijët të praktikojnë aftësitë interaktive të zgjidhjes së problemeve”, ka thënë dr. Jason Nagata, profesor i pediatrisë në Universitetin e Kalifornisë, San Francisco, për “MedPage Today”.

Këto vonesa mund të jenë në komunikim, aftësi motorike, zgjidhje të problemeve ose aftësitë personale dhe sociale, sipas studimit, botuar në revistën JAMA Pediatrics.

“Ekranet mund të prishin ose zhvendosin ndërveprimet me kujdestarët dhe të kufizojnë mundësitë për shkëmbime verbale, gjë që mund të dëmtojë komunikimin dhe aftësitë sociale”, ka shtuar Nagata, që nuk ishte përfshirë në studim.

Duke përdorur ekranet, fëmijët nuk po mund të koncentrohen në realitet e të dinë se si mund t’i shfrytëzojnë aftësitë që i kanë.

Studimi u bë midis korrikut 2013 dhe marsit 2017, përfshiu më shumë se 7,000 fëmijë japonezë dhe mati se sa orë në ditë fëmijët përdornin ekranet në moshën 1 vjeç, bazuar në raportet e nënave të tyre. Studiuesit gjithashtu hetuan mënyrën se si fëmijët e vegjël kryen disa teste zhvillimi në moshat 2 dhe 4 vjeç.

Studimi zbuloi se deri në moshën 2 vjeç, fëmijët që kishin deri në katër orë kohë në ekran në ditë kishin deri në tre herë më shumë gjasa të përjetonin vonesa të zhvillimit në komunikim dhe aftësi për zgjidhjen e problemeve. Dhe fëmijët që kalonin katër ose më shumë orë me ekrane kishin pothuajse pesë herë më shumë gjasa të kishin aftësi të pazhvilluara komunikimi, dy herë më shumë gjasa të kishin aftësi personale dhe sociale të pazhvilluara dhe gati dy herë më shumë gjasa të kishin aftësi motorike nën nivelet e pritshmërisë normale.

Deri në moshën 4 vjeç, çështjet me komunikimin dhe aftësitë për zgjidhjen e problemeve ishin ende të dukshme, sipas studiuesve.

Përmbajtja e ekraneve është shkaktari i dëmit

Njerëzit kanë pyetur se a mund të ketë efekte të dëmshme te një fëmijë përdorimi i televizorit si dado?

Është shumë e mundur, thotë një studim i ri që zbulon se sa më shumë kohë kalojnë fëmijët e vegjël duke parë ekranet si televizorët, kompjuterët, tabletët ose smartfonët aq më shumë ka gjasa që ata të kenë vonesa në zhvillim, shkruar NYPOST.

Studimi zbuloi gjithashtu se nënat e fëmijëve me nivele më të larta të kohës së ekranit ishin më të reja dhe më shpesh ishin ato gra që ishin bërë nëna për herë të parë, kishin të ardhura më të ulëta gjithashtu dhe nivel edukimi të ulët dhe kishin më shumë gjasa të kishin përjetuar depresionin e paslindjes.

Ekspertët ishin të shpejtë për të paralajmëruar se studimi ka disa kufizime, duke përfshirë se sasia e kohës së ekranit ishte raportuar nga nënat dhe se ajo nuk ishte e ndarë sipas llojit të programit që ishte shikuar, të tilla si programe edukative apo vetëm zbavitëse.

“Jo e gjithë koha e ekranit është e barabartë. Për shembull, shikimi i programeve edukative ose video-bisedave me familjen nuk është njësoj si të shohësh televizor pasiv ose video me ritëm të shpejtë në TikTok”, ka thënë Nagata. “Gjithashtu, të dhënat e kohës së ekranit u mblodhën fillimisht në vitin 2013, dhe ka teknologji, pajisje dhe aplikacione më të reja që fëmijët mund të ekspozohen tani në vitin 2023”.

Përveç kësaj, studimi nuk provon se vetëm koha në ekran shkaktoi vonesa të zhvillimit. Autorët nuk kishin detaje se çfarë lloj programi përfshinte koha e ekranit të fëmijëve dhe jo të gjitha format janë të barabarta në aftësinë e tyre për të dëmtuar apo përfituar, kanë thënë ekspertët, ka shkruar CNN.

Ekspertët kanë konstatuar se është përmbajtja ajo që është e keqja e ekraneve. Nëse të rriturit janë duke shikuar ndonjë program për vete fëmijët nuk duhet qëndrojnë aty. /koha