Studiuesit zbulojnë “sekretin” e një sistemi të fortë imunitar

Studimi i fundit është një “surprizë” e bukur për ne të gjithë, duke na zbuluar sekretin e një sistemi të fortë imunitar. A keni vënë re se ndiheni më energjik dhe më në formë kur ekspozoheni ndaj dritës natyrale të diellit? Nuk është thjesht një ndjesi.

Një studim i publikuar së fundmi në Science Immunology, sugjeron se rrezet e diellit luajnë një rol kyç në forcimin e sistemit imunitar, duke “zgjuar” qelizat që luftojnë infeksionet.

Studiuesit nga Universiteti i Auckland-it kanë zbuluar se neutrofilet, qelizat imunitare që përbëjnë vijën e parë të mbrojtjes së trupit, janë më efektive në vrasjen e baktereve gjatë ditës, falë një ore biologjike të brendshme që ndikohet nga drita.

Po pse ka rëndësi ora biologjike?

Trupi ynë funksionon sipas një cikli 24-orësh të quajtur ritëm cikardian, i cili rregullon gjumin, metabolizmin dhe madje edhe sistemin imunitar. Kur ky ritëm prishet, përshembull nga puna me turne, ndryshimet e menjëhershme të orës apo zakone të parregullta të gjumit, aftësia jonë për të luftuar infeksionet mund të dobësohet.

Pra, neutrofilet vrasin bakteret në mënyrë më efikase gjatë ditës, “aktivitet” që lidhet direkt me ritmin cikardian.