Ndërkohë, tetë palestinezë u larguan nga shtëpia e tyre në Abu Najim, pranë Betlehemit, pasi kolonët izraelitë i vunë zjarrin ndërtesës, njoftoi Gjysmëhëna e Kuqe Palestineze.
Sipas banorëve lokalë, kolonët dogjën gjithashtu një makinë dhe shkruan grafite në muret e ndërtesës para se ta vinin në flakë.
Dhuna e kolonëve ndaj palestinezëve në Bregun Perëndimor të pushtuar është rritur, ndërsa grupe kolonësh kanë sulmuar njerëz në shtëpitë e tyre dhe në hapësira publike.
Ndërkohë, autoritetet izraelite po konfiskojnë gjithnjë e më shumë toka palestineze në Bregun Perëndimor të pushtuar. Agjencia palestineze e lajmeve Wafa raportoi se Izraeli ka nxjerrë urdhra ushtarakë për konfiskimin e rreth 200 dunumëve (20 hektarë ose 49 akra) tokë nga disa zona të guvernatoratit të Jeninit.
Tareq Aghbaria, zyrtar për çështjet e vendbanimeve në Jenin, tha për Wafa se kohët e fundit është shënuar një rritje e urdhrave për konfiskimin e tokave, veçanërisht gjatë dy ditëve të fundit. Sipas tij, konfiskimet janë përqendruar kryesisht në zonat jugore, përfshirë Arrabeh, Qabatiya dhe Misilya.
Sipas Wafa, Komisioni për Kolonizimin dhe Rezistencën ndaj Murit tha se 14 prej këtyre urdhrave parashikojnë përdorimin e tokave për ndërtimin dhe zgjerimin e rrugëve ushtarake me një gjatësi totale prej më shumë se 11.3 kilometrash në pjesët juglindore, jugperëndimore dhe jugore të guvernatoratit.
Këto rrugë, sipas raportimit, do t’i shërbejnë një rrjeti të ri pikash kolonësh të miratuara nga qeveria izraelite në tokat e këtij guvernatorati. /mesazhi








