Të paktën 62 palestinezë janë vrarë në sulme izraelite në të gjithë Rripin e Gazës, sipas burimeve mjekësore të cituara nga Al Jazeera. Mes viktimave janë edhe tre persona që po prisnin ndihma pranë një pike shpërndarjeje në qendër të Gazës.
Autoritetet lokale shëndetësore njoftuan të enjten se 15 persona u vranë në dy sulme ajrore në qytetin e Gazës, përfshirë nëntë persona në një shkollë që strehonte të zhvendosur në lagjen Sheikh Radwan. Një tjetër sulm në Khan Younis vrau nëntë persona pranë një kampi çadrash.
Ndërkohë, një sulm me dron në tregun e Deir el-Balah shkaktoi viktima dhe të plagosur, sipas burimeve spitalore.
Shoqëria e Gjysmëhënës së Kuqe Palestineze raportoi se tre persona u vranë dhe të tjerë u plagosën nga zjarri i ushtrisë izraelite ndërsa prisnin për ndihma pranë Korridorit Netzarim — një tjetër incident vdekjeprurës pranë pikave të ndihmave të menaxhuara nga Fondacioni Humanitar i Gazës (GHF), i mbështetur nga SHBA dhe Izraeli.
Sipas Zyrës Mediatike të Qeverisë së Gazës, që nga fillimi i operacioneve të GHF më 27 maj, të paktën 549 palestinezë janë vrarë pranë qendrave të ndihmave, dhe 4,066 janë plagosur, ndërsa 39 persona rezultojnë të zhdukur.
Organizata britanike Save the Children thekson se më shumë se gjysma e viktimave ishin fëmijë, dhe se fëmijët ishin të pranishëm në 10 nga 19 incidentet vdekjeprurëse.
“Askush nuk dëshiron të marrë ndihma nga këto pika sepse është si një dënim me vdekje,” tha Ahmad Alhendawi nga Save the Children. “Njerëzit kanë frikë se do të vriten.”
Fondacioni GHF është kritikuar nga Kombet e Bashkuara dhe organizatat humanitare si joefektiv për të përmbushur nevojat urgjente të popullsisë në Gaza.
Ndërkohë, ministri izraelit i Sigurisë Kombëtare, Itamar Ben-Gvir, bëri thirrje për një ndalim të plotë të ndihmave humanitare, duke e cilësuar dërgimin aktual si “turp i vërtetë”.
Agjencia e OKB-së për refugjatët palestinezë (UNRWA) paralajmëroi për rrezikun e vdekjes nga etja, pasi vetëm 40% e burimeve të ujit të pijshëm janë ende funksionale.
Bisedime të reja?
Ndërsa sulmet në Gaza vazhdojnë, Egjipti dhe Katari, me mbështetjen e SHBA-së, po përpiqen të nisin raunde të reja bisedimesh për armëpushim. Sipas burimeve nga Hamasi, ende nuk është vendosur një datë.
Kryeministri izraelit Netanyahu kërkon që Hamasi të lirojë pengjet, të dorëzojë armët dhe të heqë dorë nga çdo rol në qeverisjen e Gazës. Hamasi, nga ana tjetër, ka deklaruar se do të lirojë pengjet vetëm nëse Izraeli bie dakord për një armëpushim të përhershëm dhe tërheqje të plotë nga Gaza. Megjithëse është shprehur i gatshëm të mos e qeverisë më Gazën, Hamasi ka refuzuar çarmatimin. /mesazhi



