Sulmi ndaj Kuvendit, arrestimi dhe vdekja e mistershme – kronologjia e rastit të Astrit Deharit

Sot është publikuar ekspertiza zvicerane lidhur me rastin e vdekjes së Astrit Deharit në qendrën e paraburgimit në Prizren.

Kjo ekspertizë lë hapur mundësinë që Dehari të jetë vrarë, teksa bën thirrje për nisjen e hetimeve të reja rreth rastit, shkruan lajmi.net.

Por kush ishte, dhe për çka ishte akuzuar Astrit Dehari? Lajmi.net ua sjellë më poshtë kronologjinë e ngjarjeve rreth Astrit Deharit.

Astrit Dehari ishte arrestuar më 30 gusht të vitit 2016 bashkë me katër aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje.

Dehari, bashkë me të arrestuarit tjerë, dyshoheshin për sulmin me granatë hedhës ndaj Kuvendit të Kosovës, veprim ky që atë e ngarkonte me veprën penale të “terrorizmit”.

Gjykata e Prizrenit, ndaj Astrit Deharit dhe të tjerëve kishte vendosur masën e sigurisë, dhe në bazë të saj, pesë të arrestuarit do të qëndronin në qendrën e paraburgimit në këtë qytet.

Astrit Dehari qëndroi 78 ditë në paraburgim.

Gjatë kësaj periudhe, sipas avokatit Tomë Gashi, Dehari nuk ishte marrë asnjëherë në pyetje nga prokuroria lidhur me veprën penale me të cilën ai ngarkohej.

Sidoqoftë, dita e 78-të e paraburgimit do të ishte fatale për të.

Më 5 nëntor të vitit 2015, Dehari do të gjendej i vdekur në qelinë e tij, teksa nga këtu do të fillonte misteri rreth emrit të aktivistit që më vonë do të bëhej kauzë për vënien në vend të drejtësisë.

Gati dy javë do t’i duheshin Prokurorisë së Prizrenit që të dilte me konstatimet se Astrit Dehari u vetëvra.

Atë kohë, rreth 17 persona ishin marrë në pyetje, për bazë ishin marrë edhe raportet e mjekësisë ligjore, teksa si përfundim Prokuroria kishte thirrur një konferencë për media.

Prokurori i Prizrenit, Sylë Hoxha do të dilte para mediave, nga ku do të deklaronte se të gjithë rezultatet tregojnë se Astriti e ka vrarë vetën.

Hoxha me këtë rast thoshte se  vdekja e Astrit Deharit ka ardhur nga asfiksia dhe mbyllja e rrugëve të frymëmarrjes.

Mediat në 2017-tën i kishin publikuar pamjet brenda Qendrës së Paraburgimit, nga ku shihej se përveç Deharit, të gjithë të burgosurit tjerë ditën fatale kishin dalur në orët e pushimit jashtë qelisë.

Sidoqoftë, imazhe të tilla nuk kishin zgjidhur asnjë dilemë, ato vetëm e kishin shtuar misterin.

Në shkurt të vitit 2017, familja e Deharit vendosi që ekspertiza rreth rastit të Astritit të dërgohet në Zvicër.

Rreth dy vite pritje iu deshën familjes Dehari që të marrin rezultatet e kësaj ekspertize, që do të hedhte dritë mbi vdekjen e djalit të tyre.

Ata sot nga Prokuroria pranuan raportin e institutit zviceran, i cili nuk sqaroi shumë, por la të kuptohet se konstatimi që Dehari është vetëvrarë, është vështirë i besueshëm.

Nga sot, për rastin Dehari do të fillojë një kapitull i ri, kapitull i hetimeve të reja, në drejtim të vrasjes apo vetëvrasjes së tij.

Sot, një komunikatë lidhur me rastin e lëshoi edhe Prokuroria e Prizrenit, e cila sqaroi se bazuar në të gjeturat e raportit, ajo do të vazhdojë me hetimet e pavarura dhe profesionale.