Sylvinho pranon forcën e Italisë

Trajneri i Kombëtares së Shqipërisë, braziliani Sylvinho ka folur për shumë gjëra në një intervistë për të përditshmen italiane “Corriere della Sera”.

Sigurisht, nuk ka munguar as parashikimi i tij për duelin e parë në “Euro 2024” kundër Italisë.

Dueli mes Shqipërisë dhe Italisë, luhet të shtunën mbrëma në Dortmund dhe i takon Grupit B, të cilin e përbëjnë edhe Kroacia e Spanja.

Sylvinho ka insistuar se Shqipëria do të jetë gati për këtë përballje, por ka pranuar se Italia mbetet favorit duke pasur parasysh se është kampione në fuqi e Evropës.

“Është korrekte të thuhet se Italia është favorite, por futbolli është i çmendur dhe gjithçka mund të ndodh. Megjithatë, jemi të gatshëm për t’u matur me kombëtaret më të mira dhe shumë të emocionuar për paraqitjen tonë të dytë në këtë ngjarje”, ka thënë Sylvinho, i cili gjithashtu ka shtuar se kapiteni Berat Gjimshiti mbetet lider i Shqipërisë në Evropian.