Syri

Gibran Khalil Gibran
Një ditë, syri u tha shqisave të tjera:”Përtej këtyre luginave që shtrihen para nesh, dalloj një mal të mbuluar nga retë. Ah ç’mal i bukur duket.”
Si mendueshëm, veshi, pasi e dëgjoi tha:”E ku na qenka ky mali të cilin e sheh ti?! Unë se dëgjoj zërin e tij!”
Dora nga ana e saj ia priti:”Kot po rrekem ta ndjej e ta prek malin, i cili në fakt nuk ekziston.”
Direkt ndërhyri hunda dhe tha:”Nuk e kuptoj dot ekzistencëën e një mali përderisa nuk e nuhas dot. Është e pamundur të ekzistojë një mal i tillë.”
Sakaq, syri u kthye nga ana tjetër duke qeshur me veten, kurse shqisat e tjera u mblodhën rreth njëra tjetrës dhe nisën diskutimet rreth motivit të syrit për të deklaruar diçka që nuk ekziston. Pas një debati të zjarrtë, me unanimitet, tre shqisat deklaruan se:”Syri, pa me të voglin dyshim, kishte humbur mendjen dhe kishte dalë nga rruga e drejtë.”

Gibran Khalil Gibran, shkrimtar libanez
Perktheu: Elmaz Fida