Taksa drejt heqjes, reciprociteti në pikëpyetje

Heqja e tarifës 100 për qind ndaj produkteve serbe po shihet të jetë çështje ditësh, përderisa zëvendësimi i saj me reciprocitet ende mbetet çështje me pikëpyetje.

Ndërkohë që kryeministri aktual Albin Kurti po zotohet se do ta zëvendësojë taksën me reciprocitet, ambasadori amerikan në Prishtinë Philip Kosnett ka ripërsëritur kërkesën e SHBA-së që Qeveria e Kosovës ta heqë tarifën pa vënë kushte, shkruan sot gazeta “Zëri”.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, po vazhdon të këmbëngulë se tarifa 100 për qind ndaj mallrave serbe do të zëvendësohet me parimin e reciprocitetit. Një gjë e tillë nuk po përkrahet nga bashkësia ndërkombëtare e sidomos nga SHBA-ja, të cilët po i kërkojnë në vazhdimësi Qeverisë aktuale për ta hequr taksën pa kushte.

Njohësit e çështjeve politike, të cilët theksojnë se tarifa do të hiqet shumë shpejt, nuk janë shumë optimistë se në vend të saj mund të vendoset edhe reciprociteti pikërisht për shkak të presionit ndërkombëtar. Ata theksojnë se çdo veprim që do të merret nga kryeministri Kurti duhet të jetë në përputhje me qëndrimet e aleatëve të Kosovës.

Vlerësohet se vendosja e reciprocitetit do të ketë efekt politik, por jo edhe ekonomik sa ka pasur taksa, madje një masë e tillë mund të jetë vazhdimësi e ngecjes së procesit të dialogut Kosovë – Serbi.