Të heshturit që u japin kuptim vlerave njerëzore!

Ne, ‘zhurmaxhinjtë’ që jemi vetëshpallur si përfaqësues të mendimit kritikë shqiptar, kemi bërë një mëkat të pafalshëm: shoqëritë tona i kemi shpërfaqur si galeri ku nuk mund të shohësh asgjë tjetër përpos portreteve të shëmtuar të burrështetasve tanë të papërgjegjshëm, të pafytyrë dhe hajdutë. E në të vërtetë “Shqipëritë’ tona janë ‘kopshte’ me përplot vlera njerëzore, ku banon e njerëzishmja, ku nuk mungojnë personalitete që e kanë kuptuar se shkathtësia dhe mençuria pa mirësi e pa moral, nuk janë vlerë, por mallkim i rrezikshëm.

Pra nëpër ‘Shqipëritë’ tona ka plotë personalitete që heshtin jo pse nuk kanë çka të thonë, por pse e kanë kuptuar se sot është e rrezikshme dhe shumë e vështirë të mbetesh njeri, se në kohët e sotme asgjë nuk vlen e vërteta, se është e kotë të thuash se nëpër damarët e njerëzve të moralshëm e të ndjeshëm nuk rrjedh vetëm gjak, por edhe pikëllimi dhe dhembja e gjithë të pikëlluarve dhe fatkëqijve të kësaj bote.

Dhe një ndër ata që e dinë sa e mundimshme është të mbetesh njeri, është edhe prozatori i mrekullueshëm nga Shkupi, Xhabir Ahmeti i cili dekada me radhë, çdo gjë të vlefshme që kishte, e ndau me të tjerët, duke mos e ndarë me askënd vetëm dhembjen që ia përcaktoi fati jetësorë. E të cilën dhembje e bashkëjeton me të bijën, me poeten më të mirë që ka shqiptaria – Lindita Ahmetin.

Edhe Kosova ka përplot njerëz të cilët me ‘heshtjen’ e vet u japin kuptim vlerave njerëzore. Siç janë për shembull akademikët Rexhep Ismajli dhe Eqrem Basha, të cilëve me asgjë nuk ua shton vlerën akademia, por ata atë e bëjnë të jetë AKADEMI. Dhe që ia mbrojnë asaj dinjitetin edhe atëherë kur ka rrezik të bie në rrafshin e gazetarisë ditore dhe t’u shërbejë atyre që kur nuk kanë me këndë të grinden, qortohen edhe me shtyllat elektrike rrugëve të Prishtinës.

As Shqipërisë nuk i mungojnë ata që në heshtje, popullit të vet ia dhurojnë më të vlefshmen që kanë, siç janë për shembull romansieri i mrekullueshëm, Fatos Kongoli, tregimtari i pashoq, Lazër Stani, krijuesi e kritiku i veçantë letrat Agim Baçi…. Pra nuk i mungojnë ata që veprojnë në heshtje, duke lënë pas vetes vepra të çmuara, vepra që na e kumtojnë të vërtetën se jo fama e rrejshme dhe përfitimi material, por pikëllimi dhe dhembja njerëzore janë shpirti i kësaj bote.

Dhe falë njerëzve të kësaj ‘race’ në zhdukje dhe të rrezikuar nga ne ‘zhurmaxhinjtë’, është e mundur që edhe në këto kohë kur të gjithë flasin e askush nuk dëgjon, t’ia dalim ta kuptojmë se kjo botë nuk qëndron mbi shtyllat e llafazanisë së pavlerë, por mbi heshtjen e atyre që e dinë se në këtë planet asgjë nuk është e përhershme, përpos mbëmendjes së tokës se ku dhe çfarë duhet të mbijë mbi të. Si dhe me çka duhet të ushqehet dheu dhe, si t’i kalbë ata që kanë përfunduar në barkun e saj.

Nga Kim Mehmeti

* Opinionet e shprehura në këtë artikull janë të autorit dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht politikën editoriale të portalit tonë *