A do të punohet për 1 Maj?

1 Maji, Dita e Punëtorëve shënohet edhe në Kosovë, madje është pjesë e kalendarit të festave shtetërore. Këtë vit, 1 Maji i bie ditën e martë të javës së ardhshme. Kjo ditë do të jetë pushim për të gjitha ata që punojnë nëpër institucione publike në Kosovë. Por, e hëna nuk do t’u lidhet si ditë pushimi, ndonëse zakonisht jemi mësuar që festat zyrtare të lidhen me vikende, raporton Periskopi.

E marta e javës së ardhshme do të jetë pushim për të gjithë ata që punojnë nëpër institucione publike në Kosovë.

Kjo pasi, në atë ditë është 1 Maji, Dita e Punëtorëve.

Dita e parë e muajit të pestë është pjesë e kalendarit të festave shtetërore.

E për këtë ditë, në Kosovë më shumë festohet e pushohet, se që protestohet, ndonëse festa e gjen Kosovën me një shkallë të lartë të papunësisë dhe kushte të rënda të të punësuarve, posaçërisht në sektorin privat.

Por, një lajm i keq për të gjitha ata që pushojnë për 1 Maj.

Festa nuk do t’ua lidhë edhe ditën e hënë, e cila do të jetë ditë pune, si çdo ditë tjetër.

Këtë gjë për Periskopin e ka konfirmuar edhe zëdhënësja e Qeverisë së Kosovës, Donjeta Gashi, e cila përmes telefonit tha se të hënën do të punohet.

Periskopi e ka pyetur për këtë çështje Qeverinë, pasi gjatë kontaktit me një nga institucionet komunale, na është thënë se të hënën nuk punojnë, pasi e kanë pushim shkaku i 1 Majit.

E Gashi tregon se si mund të ndodhë një gjë e tillë.

Sipas saj, shërbyesit civilë mund ta marrin të hënën pushim, nga ditët e pushimit vjetor, për ta lidhur me vikend.

“Kjo është më shumë çështje individuale. Dikush mundet me marrë të hënën pushim, prej ditëve të pushimit vjetor, e me lidh me 1 Majin”, tha Gashi për Periskopin.

Kështu, disa prej tyre do të pushojnë nga e premtja deri të mërkurën.