Të rinjtë pesimistë për të ardhmen në Kosovë

Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim publikoi sot raportin e Analizës së Pulsit Publik mbi çështjen ‘Sfidat dhe këndvështrimet e rinisë në Kosovë’.

Analiza e bërë nga UNDP dhe USAID me fokusim në grupe në komunat e Kosovës, ku pjesëmarrës ishin edhe pakicat, ka dalë në përfundim se të rinjtë nuk janë të përcaktuar nëse situata aktuale në Kosovë është e favorshme ose jo, por shumica prej tyre u shprehën pesimistë për të ardhmen e vendit.

Alessandra Roccasalvo, përfaqësuese e UNDP-së, tha se ajo çka është më shqetësuese te të rinjtë është se rreth 50% e tyre janë të papunë, dhe se dëshira për ta lënë Kosovën është shumë e lartë.

Duke e krahasuar me atë se gati çdo i ri ka të paktën një gradë shkollimi si bachelor, ajo tha se shkalla e punësimit është shumë e ultë dhe duhet të bëhet më shumë në këtë drejtim.

“Nuk ka shoqëri që mund të rritet me prosperitet pa gjeneratën e ardhshme, pa e marrë parasysh se çfarë kjo gjeneratë e sheh si të rëndësishme, dhe çfarë ka politika rreth kësaj. Sa i përket përmbajtjes, do të shihni befasi të mëdha se çka ndodhet në mendjen e njerëzve, siguria e punës, prosperiteti për familjet e tyre. Por, gjithashtu është edhe korrupsioni, nepotizmi, si ta gjejmë punën e cila paguhet mirë dhe ju lejon juve të keni sukses në Kosovë. Dëshira për ta lënë Kosovën është mjaft e lartë dhe për mua është një brengë, dhe gjithashtu rreth 50% në një mënyrë janë të pa punësuar dhe ky është një numër mjaft i madh dhe gjithashtu e respektoj, se secili dëshiron të punojë për një të ardhme më të mirë për familjen e tyre, sepse kjo është ajo që e bën botën të ecë më tutje”, tha ajo.

Paul Vaca, drejtor i Programit në USAID, tha se këto analiza kanë për qëllim çështjet më të thella, duke u fokusuar më shumë tek arsimi, migracioni e perspektiva për të ardhmen, ku për këtë të fundit tha se vërehet optimizëm më i ulët në krahasim me raportet e kaluara.

“Ne kemi menduar se dëshirojmë të fokusohemi në çështje universitare, kemi menduar të punojmë në migrim, edukim, punësim, në marrëdhënie ndëretnike, dhe gjithashtu sa i përket perspektivave për të ardhmen. Madje, edhe qëllimi ynë ka qenë mjaft optimist. Pulsi publik na tregon tani se të rinjtë nuk janë mjaft optimist, një numër i madh i përgjigjeve kanë qenë mjaft pesimist sa i përket perspektivës së punës në të ardhmen dhe gjithashtu nepotizmi, korrupsioni, varfëria kanë qenë sfidat kryesore për një perspektivë në Kosovë. Gjithashtu, numër i madh i përgjigjeve kanë thënë se situata politike është si problemi kryesor dhe kjo është e lidhur kur flasim edhe për pjesën e vlerësimit e cilësinë e arsimit dhe nuk mund ta largonin nga situata politike”, tha ai.

Ndërsa menaxheri i projektit Atdhe Hetemi duke i treguar të dhënat e raportit tha se qëllimi i Pulsit publik ka qenë të merren pritjet e të rinjve dhe perspektiva për të ardhmen e tyre në Kosovë.

“Qëllimi kryesor i kësaj analize ka qenë që të nxirren percepcionet, qëndrimet, pritjet e rinisë në Kosovë sa i përket gjendjes së përgjithshme politike, migrimit, çështjeve të edukimit, punësimit, marrëdhënieve ndër etnike dhe perspektivat e tyre për të ardhmen në Kosovë. Fillimisht, dua të ceki se burimet kryesore që janë përdorur në këtë raport janë nxjerr nga një anketë që ka përfshi në vete 452 respodentë të moshës 14 deri në 35-vjeç, dhe diku rreth 8 fokus grupe që janë mbajtur me të rinjtë në komunat e ndryshme të Kosovës. Vlen të theksohet se në anketë janë përfshirë të rinj të komuniteteve të ndryshme dhe të gjitha rajoneve të Kosovës”, tha ai.

Raporti ka dalë në përfundim se 48% e të rinjve mendojnë se Kosova as nuk është në drejtimin e duhur e as në atë të gabuar. Sfida më të mëdha, të rinjtë e anketës vlerësuan mungesën e mundësive për punë, varfëria, nepotizmi e korrupsioni, dhe cilësia e ulët në arsim.

Sa i takon migrimit, rreth 31% e të anketuarve do ta konsideronin si mundësi për në të ardhmen, ku si arsye kryesore ishte mungesa e mundësive për punësim.

Përqindja më e madhe e tyre thanë se i ndjekin studimet universitare, ku vetëm 15% dëshirojnë ta ndjekin programin master e 4% edhe doktoratë. Si pengesë në arsimin e lartë u potencua problemi financiar.

Për punësim, rezultatet janë se 56% e femrave e 40% e meshkujve të anketuar janë të papunësuar, e gjithsej 36% të të dyja gjinive janë të punësuar me orar të plotë.

Për marrëdhëniet mes komuniteteve, 28% të anketuarve thanë se janë të tensionuara por që ka pasur përmirësim në vitet e fundit dhe 27% mendojnë se këto marrëdhënie vazhdojnë të mbesin të tensionuara.