Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Tërmeti me magnitudë 7.2 trondit Tajvanin

Tërmeti me magnitudë 7.2 trondit Tajvanin

Një tërmet me magnitudë 7.2 ballë ka goditur të dielën bregun lindor të Tajvanit, ka njoftuar Shërbimi Gjeologjik i Shteteve të Bashkuara, shkroi CNN-i.

Por, agjencia e motit e Tajvanit tha se magnituda e tërmetit ishte më e ulët. Sipas kësaj agjencie, tërmeti ishte i fortë 6.8 ballë.

Deri më tani nuk ka raportime për viktima apo të lënduar. Gjithashtu nuk dihet ende ndikimi i dëmeve të tërmetit.

Ky nuk është tërmeti i parë në Tajvan. Në qershor, një tërmet me magnitudë 6.0 goditi po të njëjtën pjesë të Tajvanit.

Në atë kohë, byroja e motit në Tajvan raportoi se thellësia e tërmetit ishte 6.8 kilometra, me epiqendër në Hualien – pjesë më pak e populluar e ishullit.

Një tërmet ka ndodhur edhe majin e kaluar në Tajvan, fuqia e të cilit arriti në 6.3 ballë.
Ky vend ka qenë i njohur për goditje nga tërmeti edhe më parë. Madje u shkaktuan edhe vdekjet e qindra njerëzve.

Në vitin 2016, më shumë se 100 njerëz vdiqën nga lëvizjet tektonike që tronditën Tajvanin jugor.

Më pas në vitin 1999, Tajvani u godit nga një tërmet i madh me magnitudë 7.3 ballë. Si pasojë më shumë se 2000 njerëz vdiqën. /koha