Tesla, klientja më e madhe e teknologjisë LiDAR të sensorëve

Tesla ka qenë klienti më i madh i Luminar në tremujorin e parë të vitit 2024, pavarësisht se Elon Musk më parë nuk e preferonte teknologjinë e sensorëve nga ajo kompani.

Bëhet e ditur se prodhuesi i veturave për një kohë ka larguar sensorët nga automjetet.

Kjo pasi Musk ka qenë kritik për përdorimin e teknologjisë LiDAR të sensorëve nga të tjerët, shkruajnë mediat e huaja.

Ndryshe, LiDAR është një sistem i zbulimit të objekteve dhe distancës së tyre përmes një laseri me rreze infra të kuqe.

Siç raportohet, kjo teknologji po bëhet gjithnjë e më e zakonshme në vetura, duke ndihmuar kështu fuqizimin e teknologjisë së veturave “gjysmë-autonome”.

Ndër prodhuesit që e përdorin këtë teknologji janë edhe Volvo dhe Lotus.

Madje, Volvo pritet që gjatë këtij viti ta prezantojë SUV-in e ri elektrik EX90 i cili do ta aplikojë teknologjinë nga Luminar.

Marka pretendon se përdorimi i sensorëve do t’i mundësojë veturave të zbulojnë këmbësorët deri në 250 metra përpara veturës.