Tetë të vdekur nga i nxehti në Meksikë

Tetë persona kanë vdekur në valën e tretë të të nxehtit që goditi Meksikën që nga mesi i prillit, ka thënë Ministria e Shëndetësisë e vendit, shkruan CNN.

Temperaturat arritën një rekord prej 35 gradë Celsius në kryeqytetin Mexico City këtë javë. Shtatë persona vdiqën nga nxehtësia dhe një nga dehidratimi midis 14 prillit dhe 12 qershorit, ka thënë Ministria në një deklaratë.

Në qytetin verilindor të Monterreyt, temperaturat kaluan 40 gradë Celsius, ndërsa presioni për ujë dhe kërkesa për energji elektrike, përfshirë klimatizimin, u rrit, duke çuar në ndërprerje të energjisë.

Wendy Tijerina, një banore në Monterrey, ka thënë se vapa është më intensive sepse qyteti ndodhet në një zonë industriale.

“Ka mungesë të ujit, nuk mund t’i lani fëmijët dhe as të përdorni ventilatorin sepse ju ndërpritet rryma”, ka thënë ajo.

Ajo shtoi se familja e saj përpiqet të pijë shumë ujë për t’u mbrojtur nga nxehtësia.

Qeveria e shtetit të Nuevo Leon, ku ndodhet Monterrey, ka kufizuar kohën e qëndrimit të fëmijëve në shkollë në dy orë në ditë për të shmangur vapën.

Vitin e kaluar, Meksika shpalli gjendjen e jashtëzakonshme për shkak të thatësirës në disa pjesë të vendit, të shkaktuar nga vala e të nxehtit. Autoritetet në disa qytete, duke përfshirë Monterreyn, lejuan familjet qasje në ujë të pijshëm vetëm për disa orë në ditë për disa javë. /koha