Thaçi ushtarëve: Do keni pajisjet më moderne që do t’i ketë një ushtri në rajon – mesazh nga Pentagoni

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi njëherit Komandant Suprem i Ushtrisë së Kosovës, ka mbajtur fjalim me rastin e shënimit të Epopesë së UÇK-së.

Ai ka thënë se në këtë ditë edhe pas kaq vitesh, Familja Jashari dhe të gjithë të rënët për lirinë e vendit, mbeten të nderuar për sakrificën dhe heroizmin e treguar, përcjellë Klan Kosova.

”Sot gjendemi në mesin dhe para ushtrisë së Kosovës në kazermën Adem Jashari për të nderuar Epopenë e UÇK-së. Vet emri i kazermës tuaj, është emri i lirisë dhe Pavarësisë e sovranitetit të Kosovës”.

”Sot institucionet më të larta shtetërore, nderojnë heroizmin dhe sakrificën më të madhe të historisë tonë kombëtare, po ashtu Komandantin legjendar Adem Jashari dhe gjithë të rënët në Epopenë e UÇK-së më 5, 6 dhe 7 mars në Prekazin heroik”.

”Heroizmi i Jasharajve mobilizoi botën shqiptare kudo, në Shqipëri, Maqedoni, Luginë të Preshevës, Mal të Zi, e kudo që ka shqiptarë”.

”Bota shqiptare me nderim dhe respekt të lartë përkulet para familjes Jashari. Kujtojmë me respektin më të lartë, sakrificën e mijëra dëshmorëve, martirët dhe gjithë dëshmorët e rënë për liri të vendit. Kujtojmë plagën e invalidëve të luftës dhe të gjithë ushtarët e lirisë që kontribuan për Pavarësinë e Kosovës”.

”Të nderuar ushtarë të Kosovës ju jeni trashëgimtar të sukseshëm të UÇK-së. Me luftën heroike të UÇK-së Kosova u çlirua dhe u bë vend i lirë. Kosova me sukses kaloi fazën e tranzicionit. Për 12 vjet të pavarësisë shënuam të arritura të jashtëzakonshme si asnjë vend në botë. Kosova është storje e suksesshme. Secili qytetar do duhet të ndihet mirë për rolin e vet. Kosova e ka të qartë rrugën e vet përpara”.

”Kosova është në rrugë të drejtë, rrugën euroatlantike”.

Shefi i shtetit gjithashtu ka thënë se Kosova përgjithmonë do të jetë mirënjohëse ndaj partnereve të saj perëndimor si dhe falënderues çdo herë ndaj kontributit të SHBA-ve për Pavarësinë e Kosovës.

”Kosova do të jetë mirënjohëse e shteteve perëndimore, që e ndihmuan në kohët më të vështira. Do të jetë gjithnjë mirënjohjës për kontributin e madh të SHBA-ve. Krenohemi me rezultatet tuaja dhe gatishmërinë tuaj për të shërbyer kudo që kërkojmë, në cdo cep të Republikës së Kosovës”.

”Jemi institucioni që gëzon respektin e gjerë të qytetarëve të Kosovës. Ju jeni si forcë e besueshme në sytë e botës. Jeni ushtri moderne, bashkëkohore, multietnike”.

Hashim Thaçi i cili mbajti fjalim para pjesëtarëve të FSK-së, si Komandant Suprem i Ushtrisë i njoftoi se nga Pentagoni ka marrë garancë që do të kenë pajisjet më moderne që një ushtri ka në rajon, përcjellë Klan Kosova.

”Ju do të pajiseni me pajisjet më moderne të një ushtrie bashkëkohore. Dhe ky ishte mesazhi dhe diskutimi im edhe në Pentagon ditë më parë, për forcimin e ushtrisë së Kosovës me pajisjet më moderne që do t’i ketë një ushtri në rajonin tonë”.

”Ata që kërcënojnë Kosovën duhet ta kuptojnë njëherë e përgjithmonë, ata që kërcënojnë vendin tonë nuk do të shkelin në vendin tonë por përgjigjien do ta kenë nga Kosova në territorin e tyre”.

”Ata që kërcënojnë Kosovën duhet ta kuptojnë njëherë e përgjithmonë”.