Thaçi: Viktimat s’marrin drejtësi kur të pafajshmit ndiqen

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka mbajtur një fjalim në Hagë, në fund të fjalës së ekipit të tij mbrojtës.

Më poshtë ua sjellim një pjesë të fjalimit të Thaçit:

Sot po nisim një rrugëtim së bashku, drejt së vërtetës dhe drejtësisë. E vërteta dhe drejtësia janë parime të çmuara për mua, ato janë gurthemeli i paqes. Ndjej keqardhje dhe dhimbje për të gjitha viktimat e kësaj lufte të tmerrshme. Viktimat nuk marrin drejtësi kur të pafajshmit ndiqen. Një padrejtësi nuk ndreqet nga një padrejtësi tjetër. Unë jam i pafajshëm për të gjitha këto akuza. Do të kem sukses për familjen time, për popullin tim dhe vendin tim. Rruga drejt lirisë ishte e gjatë dhe e vështirë. Unë isha student në Zvicër, i strehuar politik kur u masakrua familja Jashari. Edhe unë si shumë tjerë, u ktheva për të ndihmuar në vendin tim.

UÇK përbëhej nga njerëz të thjeshtë që përpiqeshin të mbronin shtëpitë, familjet dhe vendbanimet e tyre. Ata luftuan, dhe shumë vdiqën si heronj. Ky ishte çmimi i lirisë. Mijëra familje humbën më të dashurit tyre. Kundërshtarët tanë ishin policia dhe ushtria serbe të kalitur në fushatën e tyre në Bosnje. Si rezistenca paqësore dhe ajo e armatosur kishin të njëjtin synim, lirinë e demokracinë. Pa atë rezistencë, Kosova nuk do të ekzistonte fare. Qytetarët donin paqë, nuk donin luftë, lufta iu imponua.