T’i hapim zemrat tona

Prim.dr.med.sc. Ali F. Iljazi (r.a)

Të gjithë së paku njëherë kemi dëgjuar hadithin i cili thotë që në trupin e njeriut është një organ i cili kur është i shëndoshë, i shëndoshë është krejt trupi, e kur është i sëmurë, të sëmurë janë edhe organet tjera. Natyrisht, fjala është për zemrën. Zemra është baza dhe qendra e njeriut. Ajo është edhe pikë fillestare nga e cila në esencë varet rruga jonë.

Allahu i Madhërishëm në Kuranin fisnik urdhëron e thotë:
“E mos më turpëro në ditën kur do të ringjallen.
Ditën kur nuk bën dobi as malli, as fëmijët.
(bën dobi) Vetëm kush i paraqitet Zotit me zemër të shëndoshë.” (Esh – Shuaraë, 87-89)

Me ardhjen në këtë botë, në amanet e kemi marrë zemrën e pastër dhe të papërlyer. E kemi obligim ta ruajmë të tillë për të dalë faqebardhë para Allahut xh.sh.

Në anën tjetër, e kemi obligim që të njihemi në mes veti, e kjo përsëri varet nga zemra.
Kur Allahu xh.sh. flet se si e ka bashkuar gjeneratën e parë të myslimanëve, thotë:
“Dhe Ai është që bashkoi zemrat e tyre. Edhe sikur ta shpenzoshe gjithë atë që është në tokë, nuk do të mund t’i bashkoje zemrat e tyre, por All-llahu bëri bashkimin e tyre, pse Ai është i gjithëfuqishëm, i urtë.” (El – Enfalë, 63)

Pra, bashkimi dhe vëllazërimi në mes njerëzve d.m.th. bashkim i zemrave të njerëzve. Nuk do ta zbulojmë kurrfarë fshehtësie nëse konstatojmë që në mesin tonë në përgjithësi dhe myslimanëve në veçanti në tërë rruzullin tokësor, sot nuk ka vëllazërim dhe bashkim të dëshiruar.

Pra, lirisht mund të konkludojmë thjeshtë që zemrat janë larg njëra-tjetrës.

Përderisa në zemrat tona ka xhelozi, zili, kryelartësi, syefaqësi, lakmi – nuk i kemi zemrat e shëruara. Përderisa i shohim gabimet dhe të metat e njëri-tjetrit nuk i kemi zemrat e bashkuara.

Pra, është e vërtetë që zemrat na janë larguar, janë ndotur dhe na janë mbyllur me dry.
Në ne është ta kërkojmë qetësin, t’i hapim zemrat, t’i pastrojmë dhe të përpiqemi të afrohemi me njëri-tjetrin.

Ta dëgjojmë një fjalë që e ka shtruar i respektuari Aid el-Karni dhe ta analizojmë me kujdes. Ai thotë: “Nëse dëshiron qetësinë shpirtërore dhe qetësinë shoqërore, gjithmonë me veti mbaj tre çelësa: buzëqeshjen, fjalën e mirë dhe heshtjen!”

Pra, nëse dëshirojmë të jemi të qetë me veten, por edhe me njerëzit tjerë, duhet hapur zemrat tona me ndihmën e njërit prej këtyre çelësave.

1. Buzëqeshja – ka fuqi magjike. Ajo i zbut njerëzit më fort se çdo gjë. Muhammedi s.a.v.s. gjithmonë ka qenë i buzëqeshur e edhe neve na këshillon të jemi të tillë. Bile ka thënë – buzëqeshja është sadakë. Pyetni secili veten a keni më shumë dëshirë ta takoni personin e buzëqeshur apo të irrituar?

2. Fjala e mirë – është çelësi i dytë i zemrës. Fjala e mirë hap dyert e hekurta. Vërtet një fjalë e mirë, një bisedë e bukur, është më e mirë se çdo gjë. Është interesant që ne për bisedë përdorim fjalën muhabet që d.t.th. bisedë me dashuri dhe kujdes, e jo bisedë boshe. Përfundimisht, kur jemi tejet të sëmurë dhe mjeku na drejtohet me fjalë të bukura disi na vie lehtësim, sepse fjala e mirë ka efekt antistresogjen.

3. Heshtja – është çelësi i tretë. Shpesh për të arritur te zemra e dikujt, thjeshtë duhet heshtur. Muhammedi s.a.v.s. jo rrallë në lëndim, ofendimet e tjerëve, fjalët e rënda që i drejtoheshin, heshte. Të njëjtit individë më vonë impresionoheshin me qëndrimin e tij dhe pranonin Islamin. Pra, heshtja është çelës i artë për zemrat e njerëzve.

Ja, pra vëllezër të respektuar këta janë çelësat për zemrat tona. Tani që i mësuam e në ne mbetet ta kërkojmë kombinimin më të mirë. Qartë, këta nuk janë të vetmit çelësa, por janë ndër më të mirët. Ta provojmë që nga sot dhe do të shihni se me ndihmën e buzëqeshjes, fjalës së bukur dhe heshtjes, do të bien drynat e zemrave tona, do të rrënohen barrierat mes nesh dhe marrëdhëniet në mesin tonë do të bëhen më të bukura, më të lehta dhe më të thjeshta.

Natyrisht, të hulumtojmë edhe për çelësat tjerë, por së pari t’i pastrojmë zemrat, sepse ato janë pasqyrë e shpirtit tonë.

Lusim Allahut xh.sh. të na mundësojë që të pastrojmë zemrat tona, të na bashkojë dhe forcojë unitetin, dhe të dalim faqebardhë para Tij. AMIN

Hutbeja u ligjërua më 03.05.2013 në xhaminë e Re në Gjakovë.

Prim.dr.med.sc. Ali F. Iljazi (r.a)
Nga arkiva/islamgjakova